Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kosovë

Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, kanë vazhduar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, të cilat rifilluan më 5 maj të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës.

“Gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë .

Të shtunën, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

“Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të këtij procesi, në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës”, bën të ditur njoftimi.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen.

Sipas Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 ndërsa më 16 nëntor të vitit 2020 u zbuluan mbetje mortore të cilat dyshohet se janë të viktimave të luftës së vitit 1999 në Kosovë. Gërmimet gjatë vitit të kaluar u pezulluan në dhjetor, për shkak të motit jo të favorshëm.

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, bëri të ditur gjatë janarit të këtij viti se mbetjet mortore ende nuk janë identifikuar, ndërsa “në momentin e identifikimit, ata do barten në vendet nga iu takojnë”.

Pas më shumë se dy dekadave nga lufta e fundit në Kosovë, ende nuk dihet fati i mbi 1.600 personave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button