BE për të ardhmen e Evropës – pa përfshirje

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Para fillimit të Konferencës për të ardhmen e Evropës

Malinka Ristevska Jordanova

Sërish do të bisedojmë për të ardhmen e Evropës. Jo, gabim. Ne nuk do të bisedojmë. Ata do të bisedojnë. Sepse ne, ajo përzierje e çuditshme nga Ballkani Perëndimor, ndoshta nuk kemi asgjë për të thënë dhe përse të humbasim kohën tonë të çmuar ballkanike … Ka edhe një problem tjetër – ne nuk jemi të ftuar. Megjithëse, titulli i Konferencës është “Ardhmëria e Evropës”, e jo “Ardhmëria e Bashkimit Evropian”.

Epo, atëherë le të ndjekim se çfarë do të thonë të tjerët, ndër të tjera, për të ardhmen tonë.

Bëhet fjalë për Konferencën e Bashkimit Evropian për të Ardhmen e Evropës, e cila duhej të fillonte vitin e kaluar, por u shty për shkak të pandemisë. Këtë Mars, kryetarët e Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit nënshkruan Deklaratë të Konferencës dhe ata janë zyrtarisht bashkë-kryesuesit e këtij forumi. Do të ketë edhe bord ekzekutiv nga tre institucionet me përfaqësues të parlamenteve kombëtare si vëzhgues.

Asgjë e re. Çdo brez i politikanëve në Bashkimin Evropian ka pasur një debat të ngjashëm. Pikërisht dy dekada më parë, filloi Konventa për Kushtetutën e BE-së. E përfundoi punën me një draft të Kushtetutës BE-së. Nuk u miratua kushtetutë e BE-së. U miratua Traktati i Lisbonës, gjegjësisht u ndryshuan aktet themeluese  – në të njëjtën mënyrë si më parë.

Dhe në fund, Konferenca është planifikuar të fillojë këtë javë, 9 maj, në Ditën e Evropës. Do të ketë ngjyra të forta franceze – do të mbahet në Strasburg si dhe planifikohet të flasë presidenti francez Emanuel Makron. Ndonëse po fillon një vit më vonë, Konferenca është planifikuar të përfundojë vitin e ardhshëm – menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Qytetarët e BE-së, gjatë gjithë vitit, do të dalin me ide dhe sugjerime për të ardhmen e kontinentit. Pritet që ata të kontribuojnë në disa fusha kryesore: ndërtimin e kontinentit të shëndetshëm, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe sfidave ekologjik, ekonomi pëe njerëzit, barazia shoqërore, barazia dhe solidariteti ndërmjet brezave, transformimi digjital evropian, të drejtat dhe vlerat evropiane, përfshirë sundimin e ligjit, sfidat e migracionit , siguria, roli i BE-së në botë, bazat demokratike të Bashkimit dhe si të forcohen proceset demokratike me të cilat rregullohet Bashkimi Evropian. Sigurisht, temat mund të shtohen.

Cilat janë modalitetet? Do të ketë (tashmë ka) platformë digjitale shumëgjuhëshe që do të jetë në gjendje të përfshijë të gjithë qytetarët evropianë (qytetarë të BE-së), por edhe panele qytetare tematike, të cilat duhet të përfaqësojnë në mënyrë adekuate qytetarët (e BE-së). Dhe e gjithë kjo do të jetë transparente dhe e hapur, ndërsa do të duhet të jepen përgjigje për propozimet e dhëna. Debati do të vazhdojë më pas në konferenca plenare (çdo gjashtë muaj) të përbërë nga përfaqësues të Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit, si dhe të gjitha parlamenteve kombëtare. Përveç Komitetit të rajoneve dhe Komitetit social-ekonomik, do të përfaqësohen edhe përfaqësues të partnerëve socialë dhe të shoqërisë civile. Bordi ekzekutiv do të formulojë konkluzionet. Pikërisht për këtë u bë beteja deri në momentin e fundit, kështu që u rrezikua edhe fillimi i Konferencës. Megjithatë është arritur kompromis – Bordi Ekzekutiv do të formulojë ende përfundimet, por ato duhet të bazohen në propozimet që do të miratohen nga Konferenca plenare. Dhe në fund, e gjithë kjo duhet të miratohet nga bashkë-kryesuesit, si dhe përfaqësuesit e të gjitha parlamenteve kombëtare.

Ka dy gjëra të mira në lidhje me Konferencën për të Ardhmen e Evropës. E para është se nuk ka pritje të mëdha. E dyta është që në delegacionin e Parlamentit Evropian për seancën plenare do të jetë edhe deputeti Guy Verhofstadt. Pra, të paktën do të jetë interesante.

Ndoshta do të kishte qenë edhe më interesante të merrte pjesë edhe Ballkani (ai Perëndimori), i cili ende nuk është në Perëndim).

Sidoqoftë, një ftesë erdhi javën e kaluar – nga Sekretari shtetëror Sllovakisë për punë të Jashtme – për të na bashkëngjitur në Konferencë. Se si do të ndodhte kjo nuk është shumë e qartë. Sidoqoftë, nuk është keq që të keni mbështetjen për të marrë pjesë në këtë debat. Nëse asgjë tjetër, le të jemi në kondicion të mirë kur të vijë e ardhmja e kontinentit tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button