RMV, është dorëzuar aplikacioni për hua për ndërtimin e deponive moderne për pesë rajone në vend

Ministria e financave dhe Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor po punojnë në mënyrë aktive të sigurojnë fondet e nevojshme për të siguruar trajtim modern të mbetjeve në vend, në përputhje me kriteret e BE-së. Vendi ka parashtruar aplikacion në institucionet financiare ndërkombëtare, me Bankën evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH) si subjektin bartës, për kredi prej 55.367.614 euro për ndërtimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në vend, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Aplikacioni është dorëzuar dhe pritet përgjigje për miratimin e kredisë nga banka. Afati i gjithë procedurës, deri në miratimin e huas dhe fillimin e investimeve, është rreth 18 muaj, duke filluar llogaritjen nga prilli i vitit 2021”, informojnë nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor për “Meta.mk”.

Nëse kredia miratohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, ajo do të mundësojë ndërtimin përfundimtar të deponive rajonale për rajonet juglindore, Vardar, Pellagoni, Jugperëndimore dhe Pollog. Përveç ndërtimit të lokacioneve ku mbeturinat do të hidheshin në përputhje me standardet evropiane, sistemet rajonale për menaxhim të mbetjeve do të sigurojnë nivel dukshëm më të lartë të selektimit të mbetjeve të krijuara në komuna, por gjithashtu riciklimin dhe kompostimin e një pjese të vetë mbeturinave.

Përndryshe, me kërkesë të Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Qeveria në fillim të shkurtit të këtij viti e miratoi fillimin e procedurës për sigurimin e një kredie për krijimin e sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve në vend. Financimi për një projekt të tillë kapital deri tani është siguruar vetëm për rajonin e planifikimit Verilindor dhe Lindor, ku do të ndërtohet një deponi moderne rajonale në komunën e Sveti Nikollës.

Nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor informojnë se sistemi rajonal i menaxhimit të mbetjeve për rajonin e planifikimit juglindor dhe të Vardarit do të kushtojë 15.406.000 euro, ndërsa investimi identik për rajonin e planifikimit të Pellagonisë dhe Jugperëndimit do të arrijë në 22.591.000 euro. Ndërtimi i deponisë rajonale, së bashku me infrastrukturën e nevojshme, në rajonin e planifikimit të Pollogut do të kushtojë 17.370.614 euro. Përveç kësaj, ministria ka kërkuar edhe grant me mjete nga Zvicra për të ndihmuar në uljen e borxhit nga kredia e ardhshme, e cila u miratua në shumën prej 5,5 milionë euro.

“Meta.mk” ka shkruar një kohë të gjatë për domosdoshmërinë e sigurimit të trajtimit modern të mbeturinave në vend, sepse sasitë e krijuara nga qytetarët po rriten vazhdimisht me kalimin e viteve. Sidoqoftë, selektimi i mbeturinave, si dhe riciklimi i tyre është minimal, kurse shumica e mbeturinave përfundojnë ose në deponitë komunale që nuk posedojnë kritere për deponim të mbeturinave ose në deponitë ilegale që qytetarët i krijojnë në mënyrë të paligjshme, duke e ndotur tokën, ujin dhe ajrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button