Ministri Besimi: Këtë vit do të kemi rritje ekonomike

Ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën e tij shkruan se tërë bota, vitin 2021 e sheh si një vit të rimëkëmbjes ekonomike. Zbatimi i procesit të imunizimit dhe përmirësimi gradual i pasqyrës epidemiologjike, besimi tek investitorët dhe konsumatorët do të rritet, që do të rezultojë në rikuperimin e investimeve dhe konsumin privat. Me rimëkëmbjen e ekonomive dhe normalizimin e zinxhirëve të furnizimit, shkruan Besimi, shkëmbimi tregtar do të rritet, si dhe shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese. Ме  lehtësimin dhe suspendimin e masave preventive shëndetësore, do të përmirësohet shfrytëzimi i kapaciteteve të shërbimit. Kjo do të kontribuojë në gjallërimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen ekonomike.

“Tempoja e rimëkëmbjes ndryshon nga rajoni në rajon dhe nga vendi në vend sipas ndikimit të krizës së kovidit dhe dinamikës së procesit të imunizimit. Falë politikave në kohë për përballje me efektet e pandemisë, kriza pritet të ketë më pak pasoja sesa kriza financiare globale e vitit 2008, por vendet në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara, që janë më të goditurat, pritet të përballen me më shumë humbje në periudhë afatmesme. Pritjet e institucioneve financiare ndërkombëtare, sa i përket rezultatit ekonomik global po përmirësohen. Projeksionet e pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar janë më të larta se ato të vjeshtës së vitit 2020, me rritjen e pritur të ekonomisë globale prej 6% në vitin 2021 dhe 4.4% në vitin 2022. Rishikimi në rritje i detyrohet stimulit fiskal shtesë të cilin e paralajmëruan disa nga ekonomitë më të mëdha botërore, rimëkëmbjes së pritshme ekonomike në gjysmën e dytë të vitit si rezultat i vaksinimit si dhe efektivitetit të masave të ndëmarra nga ekonomitë për kapërcimin e situatës deri tek vaksinimi i tërësishëm”, shkruan Besimi.

Në lidhje me situatat dhe pritjet për ekonominë e Republikës së Maqedonisë së Veriut thotë se parashikimet e prillit të FMN-së për rritjen ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2021 me rritje prej 3.8% përafrohen me ato të Ministrisë së Financave (4.1%).

“Që nga fillimi i vitit, vërehen trende pozitive në ekonomi. Kjo mund të shihet më së miri përmes të hyrave të buxhetit. Resprektivisht, nga fillimi i vitit, deri në fund të muajit prill, të hyrat janë më të larta për 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e periudhës krahasuese, vitin e kaluar nuk ishte nën ndikimin e krizës së kovidit. Arkëtimi i tatimeve dhe kontributeve është më i lartë me mbi 12%, me ç’rast tatimet kanë rritje pothuajse 18%, ndërsa kontributet rritje prej 4.5%. Rritja e arkëtimit të tatimeve është si rezultat rritjes së lartë të arkëtimit tek pothuajse të gjitha detyrimet dhe më së shumti rritjes së TVSH-së me pothuajse 30%”, shkruan Besimi.

Ai thotë se sipas Entit shtetëror për statistikë, në dy muajt e parë, eksporti i mallrave regjistroi rritje nominale prej 18% në bazë vjetore, me ç’rast me dinamikë të përforcuar vazhduan trendet pozitive në këtë segment. Importi i mallrave regjistroi rritje nominale prej 14.1%.

“Shfrytëzimi i kapacitetit të prodhimit rritet poashtu, me shfrytëzim prej 71% gjatë muajit shkurt, që është në nivelin e para krizës. Tendenca pozitive vërehen edhe në prodhimin industrial në muajin mars të vitit 2021, me rritje prej 7.6% në raport me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Të dhënat e tregtisë së brendshme për dy muajt e parë tregojnë rritje nominale të qarkullimit prej 0.5% që vijon pas periudhës së rënies gjatë tërë vitit 2020. Paga mesatare vazhdon të rritet që nga fillimi i vitit, me rritje prej 2.7% në muajin shkurt. Në mars, kreditë e përgjithshëm u rritën me 5.2%, me rritje të kreditimit si amvisëritë ashtu edhe për sektorin korporativ, ndërsa depozitat e përgjithshme u rritën për 7.4%””, thekson Besimi.

Ministri shkruan se sipas zhvillimeve dhe pritjeve të fundit makroekonomike dhe fiskale në raport me mjedisin ekonomik ndërkombëtar, ekonomia e brendshme parashihet të kthehet në drejtim të rritjes ekonomike dhe t’ kapërcejë goditjet e shkaktuara nga pandemia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button