Negociatat, kryeministri Zaev të hënën do të takohet me kryetaren e KE-së, Ursula von der Lejen

Kryeministri Zoran Zaev të hënën do të udhëtojë për në Bruksel ku duhet që të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, njofton Portalb.mk.

Në mbledhje duhet që të diskutohet edhe për deklaratat e fundit të eurokomesarit për zgjerim, Oliver Varheji, i cili tha se është e mundshme që të ndahen proceset për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hyrje në BE.

“Nëse hasim në vështirësi sërish me Maqedoninë e Veriut, që do të thoshte se nuk do të kemi sukses në bindjen e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme, atëherë pyetja është se nëse mund të ecim përpara vetëm me Shqipërinë. Edhe ne duhet ta shqyrtojmë këtë çështje”, ka thënë paraprakisht Varheji, duke iu përgjigjur gazetarëve në Bruksel.

I pyetur se nëse është opsion ndarja formale e zë dy vendeve, të cilat deri më tani shkonin në pako, ai u përgjigj: “Po, ajo është një opsion”.

Pas deklaratës së Varhejit, kanë reaguar edhe zyrtarë të Evropës, gjegjësisht ministri shtetëror për Evropë i Gjermanisë, Mihael Roth dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivan Korçok, të cilët insistojnë për fillim të bisedimeve me të dyja vendet.

Korrespondenti i Wall Street Journal në Bruksel, Lawrence Norman, duke u thirrur në zyrtar të lartë, në Twitter shkroi se pikëpamjet e Varheit devijojnë nga pozicioni i Komisionit Evropian.

“Nuk po përgatisim ndarje, thonë KE-ja, përkundrazi, Komisioni mbështet hapjen e shpejtë të negociatave me të dy vendet”.

Portali i Brukselit Politico, duke u thirrur në një zyrtar të lartë, ka shkruar se Komisioni në mënyrë eksplicite mohon deklaratat e Varheit.

“Nga Komisioni pasoi një përgjigje eksplicite: Shërbimet nuk po përgatisin asnjë ndarje, tha zyrtari i lartë, duke sugjeruar që komisioneri hungarez mund të jetë shumë i lidhur në shtëpi, ku ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski mori atë që Hungaria e quan azil pasi u dënua me dy vjet burg për shpërdorim detyre”, shkruan Politico.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button