Me 46.5 milionë dollarë, do të zbatohen projekte për efikasitet energjetik dhe avancim të arsimit

Me 46.5 milion euro të siguruara nga Banka Botërore, do të realizohen dy projekte të rëndësishme për zhvillim ekonomik të vendit. Këto janë projekte për efikasitet energjetik në sektorin publik dhe avancimin e arsimit fillor që janë pjesë e një kornize katër-vjeçare për partneritet me Bankën Botërore, që e kap vlerën 420 milionë dollarë, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshjet për të dy projektet u nënshkruan para pak kohësh. Projekti për efikasitetin energjetik në sektorin publik është me vlerë 25 milionë euro, kurse projekti për avancimin e arsimit fillor është me vlerë 21.5 milionë euro.

Periudha e kthimit të kësaj kredie është 11 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë prej 3 vjetësh dhe normë interesi prej gjashtë muajsh EURIBOR me gamë variabile.

Në kuadër të projektit të parë do të ndahen fonde për efikasitet energjetik të ndërtesave publike si ndërtesat komunale, ndërtesat e qeverisë qendrore dhe ndriçimi publik, si dhe asistencë teknike për krijimin e Fondit për efikasitet energjetik dhe për kapital fillestar për Fondin. Fondet e destinuara për projektin e dytë do të drejtohen për investime në infrastrukturën shkollore, forcimin e kompetencave të stafit mësimdhënës dhe për reformën për monitorimin dhe vlerësimin e progresit kombëtar në mësim, i cili synon të zhvillojë një program shtetëror të testimit.

Sipas ministrit të financave Fatmir Besimi projekte, si këta, që kanë komponent të fortë zhvillimi janë shumë të rëndësishme, veçanërisht në kushte kur po përballemi me efektet e krizës kovid-19 mbi ekonominë.

– Të dy projektet kanë për qëllim të arrihet SMART- rritje ose “Rritje më të mençur”, duke investuar në përmirësimin e efikasitetit dhe duke investuar në krijimin e vlerës së shtuar duke përmirësuar burimet njerëzore, theksoi Besimi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai njoftoi se dy projekte të tjera nga Korniza e partneritetit me Bankën Botërore janë në procedurë parlamentare. Një për modernizimin e bujqësisë me vlerë 46 milionë euro dhe një tjetër 37 milionë euro për rrugët lokale. Pas miratimit të ligjeve nga Parlamenti, këto marrëveshje do të nënshkruhen, me çka do të fillojë zbatimi i tyre.

Korniza katër-vjeçar për partneritet me Bankën Botërore ka për qëllim krijimin e një ekonomie konkurruese dhe rritje gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme të vendit. Gjatë tre dekadave të fundit, Banka Botërore ka financuar projekte me vlerë mbi 2,5 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button