fbpx

Një fëmijë një vjeç vdiq nga koronavirusi në Kosovë

Katër viktima – në mesin e tyre një fëmijë një vjeç – dhe 170 raste të reja me koronavirus u raportuan të premten në Kosovë.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, fëmija një vjeç ka vdekur në Prishtinë, ndërsa rastet e tjera të vdekjes janë regjistruar në komunat: Ferizaj, Mitrovicë dhe Podujevë, transmeton REL.

Ramush Beiqi, mjek në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se viktima njëvjeçare ka qenë e hospitalizuar dy herë në këtë klinikë.

“Një fëmijë ka vdekur prej COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Ai ka qenë i hospitalizuar te ne dy herë. Një herë për shkak të problemeve respiratore… Pas gjendjes stabile është lëshuar në shtëpi dhe pastaj prapë është pranuar në një gjendje shumë të rëndë, me shenja shumë të rënda të sëmundjes COVID-19. Përkundër të gjitha tentimeve që i ka bërë ekipi kujdestar, ai nuk ka arritur ta shpëtojë foshnjën dhe ajo ka vdekur”, tha Beiqi.

Beiqi tha se nuk ka informata nëse fëmija ka pasur edhe sëmundje të tjera.

Rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga koronavirusi është më i vogël sesa te të rriturit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha në njoftimin ditor të premten se 170 rastet e reja me koronavirus, u konfirmuan pas testimit të 2,545 mostrave.

Shifra nënkupton që 6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 106,192 raste me koronavirus dhe 2,202 viktima.

Sipas IKSHPK-së, 97,057 pacientë janë shëruar nga koronavirusi – 389 prej tyre në 24 orët e fundit.

Aktualisht, raste aktive në Kosovë janë 6,933.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të muajit mars me 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë, vendi ka pranuar edhe mbi 4 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech si donacion nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button