Zëdhënësja e KE konfirmoi se Shqipëria mund te fillojë bisedimet me BE para RMV-së

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka konfirmuar se Shqipëria mund të nisë bisedimet me Bashkimin Evropian edhe pa Maqedoninë e Veriut. Ajo tha se nëse Maqedonia e Veriut nuk nënshkruan marrëveshjen me Bullgarinë, atëherë do të shihet opsioni i fillimit të bisedimeve vetëm me Shqipërinë, shkruan SDK.mk përcjell Portalb.mk.

“Pozicioni i Komisionit Evropian është shumë i qartë. Duam të shohim konferencë ndërqeveritare me të dy vendet. Të dyja i plotësojnë kushtet që kjo të ndodhë, por Këshilli duhet të jep pajtim për kornizat negociuese, këtu ku jemi. Nëse nuk ka marrëveshje për Maqedoninë e Veriut, atëherë ky opsion do të mund të shqyrtohet,” tha Pisonero.

Ndryshe, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button