Mbi iletin e përçarjeve brendashqiptare

Duhet pranuar pa asnjë POR të vërtetën e hidhur se historikisht jemi dëshmuar si armiqtë më të mëdhenj të vetvetes. Ky fatalitet na ka ndjekur herë pavetëdijshëm, herë me ndërgjegje esëll dhe do t’na ndjekë edhe më tej, për aq kohë sa nuk denjojmë t’i marrim seriozisht mësim-pësimet e së shkuarës.

Për sindromin e përçarjeve kronike kanë shkruar etërit e Rilindjes, të cilët në kushte shumë më të vështira se sot e gjetën rrugën e ringjalljes së ndërgjegjes së fjetur kombëtare dhe vetëdijësimit për rëndësinë e forcimit të njësisë së gjuhës, kombit dhe shtetit shqiptar. Ata e arritën këtë me sakrifica mbinjerëzore, në sajë të gatishmërisë për të bërë gjithçka për të mirën e përgjithshme. Madje, në dallim nga e sotmja, më të mirit prej tyre vunë në shërbim të çështjes kombëtare edhe patundshmëritë e trashëguara, kurse burrështetasit e sotëm (respekt përjashtimeve të rralla!) pa pikë turpi kapardisen me pasuritë e paligjshme të bëra në kurriz të popullit të ngratë, që vazhdon ta projektojë të ardhmen duke i lidhur shpresat për klasën politike dhe intelektuale, që gjithashtu e ka zhgënjyer më shumë se një herë me mungesën e guximit qytetar dhe me heshtjen prej peshku.

Nëse ata që duhet të jenë korrektuesit e paanshëm të veprimeve politke do ta vazhdojnë mekamin e bërjeqejfeve, hatrit të rremë dhe prirjeve për t’i parë si vepra heroike edhe shëmtitë e politikave utilitare me trajta kacagjelimesh të kota ndërvëllazërore, gjendja do të vijë duke u përkeqësuar gjer në mekjen e plotë të zërit shqiptar aty ku duhet të jehojë fuqishëm dhe i njësuar siç e kërkojnë situatat. Kjo do t’i bëjë të rinjtë edhe më dyshues për të ardhmen ndryshe dhe për çdo ditë të Zotit do të largohen nga sytë këmbët për të gjetur një shtet normal që ju ofron punë dhe kushte më njerëzore jetese.

Politikanët duhet ta dijnë këtë dhe të ndjehen përgjegjës për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit, sepse politika dhe pushteti janë përgjegjësi, jo privilegj.  Nëse ia duan të mirën kombit, ata duhet të mendojnë më shumë për të sesa për partitë e tyre. Ata duhet urgjentisht ta gjejnë gjuhën e përafrimit me njëri-tjetrin, ashtu siç veprojnë politikanët maqedonas, që, në dallim prej të zgjedhurve tanë, kanë pushtet faktik. Rasti i fundit i vullnetit të tyre për t’i ulur gjakrat dhe për t’u pajtuar me njëri-tjetrin për interesa madhore është marrëveshja e Zaevit me Mickovskin për ndërprerjen e regjistrimit të popullatës, që për shumëkë u bë nga frika e numrit real të shqiptarëve në RMV.

Se interesi kombëtar maqedonas është mbi gjithçka tjetër flet dhe deklarata e fundit e kryetarit Pendarovski, i cili i quajti të padrejta gjykimet e banditëve që sulmuan shtëpinë ligjvënëse të shtetit, sepse edhe ai është në shërbim të popullit të vet dhe njeh interesin madhor të tij. Po të qe ndryshe, do të angazhohej edhe për rigjykimet e rasteve të montuara që kalbin zëndaneve shqiptarët e pafajshëm, për të cilët z. Zaev dikur shpërthente bomba duke pasur përherë në krah kryetarin aktual të shtetit të çudirave. Nëse këto raste nuk mjaftojnë për t’ua mbushur mendjen politikanëve shqiptarë, të cilët e konceptojnë njëri-tjetrin si armiq të përbetuar, duke harruar se hasmëria nuk është dëshira e votuesve shqiptarë, atëherë s’kemi çfarë presim as sot as mot, sepse do të ndodhë vetëm përsëritja që përsëritet përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button