fbpx

Samiti dyditor i Bashkimi Evropian në Portugali

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, diplomatë dhe këshilltarë të lartë u takuan të premten në Portugali për dy ditë bisedime në drejtpërdrejta, duke sinjalizuar besimin e tyre se kërcënimi nga COVID-19 në kontinent po zbehet ndërsa vazhdon fushata për një vaksinim të shpejtë, raporton VOA.

Sidoqoftë, pandemia ishte e pranishme dukshëm në bisedime. Duke u takuar ballë për ballë për herë të parë këtë vit, udhëheqësit u mblodhën në një ndërtesë të shekullit të 19-të buzë lumit në qytetin piktoresk të Portos. Maskat e fytyrës fshehën buzëqeshjet e tyre, ndërsa pjesëmarrësit përshëndetën me entuziazëm njëri tjetrin duke takuar bërrylat. Ata u ulën veçmas, pa një tavolinë pune, në një sallë të madhe me dokumenta që i mbanin në prehrat e tyre, dhe me një shishe të vogël plastike uji pranë.

“Shërimi nga pandemia është ende në një fazë të hershme,” pohoi në fjalën e saj të hapjes Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.

Policisë, stafit dhe gazetarëve në samit u duhej t’i nënshtroheshin testeve të COVID-it para se të lejoheshin të merrnin pjesë.

Samiti shpreson të riparojë disa nga dëmet ekonomike që ka shkaktuar pandemia në bllok. Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu propozimet për të ndarë teknologjinë e vaksinave COVID-19 për të ndihmuar në shpejtimin e dhënies fund të pandemisë në të gjithë botën.

Të shtunën, udhëheqësit do të marrin pjesë përmes videokonferencës në një takim me Kryeministrin Indian Narendra Modi, vendi i të cilit ka nevojë për më shumë ndihmë mes një rritje shkatërruese të virusit atje. Takimi virtual mund të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje dypalëshe tregtare, që është ende në diskutim.

Udhëheqësit e BE-së duken të zellshëm për të “provuar dhe përcjellë një ndjenjë normaliteti, apo për t’u kthyer ngadalë në normalitet”, tha Antonio Barroso, një analist politik në Teneo.

Ky është një element i rëndësishëm për vendet e BE-së si Portugalia, Spanja dhe Greqia, ku turizmi është shtylla kryesore e ekonomive të tyre.

Pas një fillimi të ngadaltë të vaksinimit, BE-ja ka dhënë 150 milionë vaksina dhe vlerëson se mund të arrijë “imunitetin e tufës” brenda dy muajsh. Komisioni Evropian ka propozuar lehtësimin e kufizimeve për udhëtimet brenda bllokut këtë verë.

Megjithatë, kush mund të udhëtojë, kur dhe ku, mbeten pyetje delikate për evropianët. Përmirësimet e situatës së pandemisë kanë qenë të pabarabarta në kontinent dhe shumë qytetarë të BE-së jetojnë ende duke iu nënshtruar kufizimeve për shkak të koronavirusit. Në mbështetje të këtyre shqetësimeve, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Kryeministri holandez Mark Rutte nuk udhëtuan për në Portugali.

Kryeministri i Maltës Robert Abela gjithashtu nuk mori pjesë personalisht. Ai është në karantinë pasi gruaja e tij doli positive me COVID.

Samiti solli gjallëri në Porto, me një popullsi prej 200,000 banorësh ku shumë hotele janë mbyllur që nga pranvera e kaluar për shkak të kufizimeve të COVID-19.

Me pandeminë që ka nxjerr në pah pabarazitë dhe ka sjell vështirësi më të mëdha në bllok, bisedimet do të synojnë të gjejnë rrugë për të siguruar të drejtat e qytetarëve të BE-së për punësim, barazi gjinore dhe shërbime sociale.

“COVID-i i ka nxjerrë zbuluar boshllëqet” e kujdesit social, thotë Laura Rayner, një analiste politikash në Qendrën Evropiane të Politikave, një organizatë hulumtuese me bazë në Bruksel. “Shumë njerëz, jo për faj të tyre, e kanë gjetur veten duke kërkuar ndihma”.

BE-ja kërkon të miratojë në takimin e Portos tre objektiva kryesore: një normë punësimi prej të paktën 78%, të paktën 60% të të rriturve të mund të ndjekin kurse trajnimi çdo vit dhe të ul numrin e atyre që rrezikojnë të hyjnë në varfëri me të paktën 15 milionë njerëz, përfshirë 5 milionë fëmijë.

Kërkesat për mbrojtje sociale kanë shkaktuar disa tensione. Muajin e kaluar, 11 qeveri të BE-së i mirëpritën objektivat për samitin e Portos, por i paralajmëruan autoritetet qendrore të BE-së kundër ndërhyrjes në politikat kombëtare.

Planet për një takim ballë për ballë BE-Indi në Porto u pezulluan pasi kryeministri Modi anuloi udhëtimin e tij për shkak të pandemisë. Por bisedimet e së shtunës do të jenë hera e parë që një udhëheqës indian bashkohet në një takim me të gjithë udhëheqësit e BE-së.

Bisedimet me kryeministrin Modin janë të rëndësishme sepse India dhe BE-ja kaluan gjashtë vjet duke u përpjekur të negocionin një marrëveshje të tregtisë së lirë para se të hiqnin dorë në vitin 2013. Midis çështjeve të debatueshme ishin pjesët e automjeteve dhe privatësia dixhitale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button