fbpx

U shënua Dita e Policisë së Maqedonisë së Veriut (FOTO)

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me rastin e shënimit të Ditës së Policisë së Maqedonisë së Veriut – 7 maji tha se nga puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në masë të madhe varet edhe besimi i qytetarëve në shtetin e tyre dhe në institucionet e tij më të larta, raporton Anadolu Agency (AA).

This slideshow requires JavaScript.

Pendarovski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot u adresuan me rastin e shënimit të Ditës së Policisë – 7 maji në qendrën policore “Gjorçe Petrov”.

Presidenti Pendarovski theksoi se kjo është një ditë e rëndësishme për shkak se bëhet fjalë për një strukturë e cila ka rol të pazëvendësueshëm në zbatimin e ligjeve, mbajtjen e rendit publik dhe qetësisë, respektimin e lirive njerëzore dhe të drejtat dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror.

“Vetëm me një vështrim të këtyre kompetencave jashtëzakonisht të rëndësishme, bëhet e qartë se besimi i qytetarëve në shtetin e tyre dhe në institucionet e tij më të larta varet kryesisht nga puna e Ministrisë së Brendshme”, tha Pendarovski.

Ai tha se besimi i qytetarëve në institucione duhet të riafirmohet çdo ditë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për incidente të vogla lokale, luftën kundër krimit dhe korrupsionit apo probleme të mëdha globale siç është pandemia e COVID-19.

Ministri Spasovski para të pranishmëve tha se sot është i nderuar të drejtohet si koleg dhe aleat i Ditës së Policisë e cila është një simbol i sakrificës, përgjegjësisë, guximit, karakteristikave morale që duhet të zhvillohen nga çdo individ që ka dhënë betim.

Duke theksuar se lufta për të parandaluar COVID-19 ishte një motiv për të punuar dy herë më shumë, Spasovski tha: “Jam krenar që pavarësisht situatës fatkeqe me të cilën jemi përballur globalisht, kemi treguar që kjo ministri punëson profesionistë të cilët pa u lodhur kryejnë detyrat e tyre, luftojnë pa pushim kundër krimit dhe korrupsionit, kundër terrorizmit”.

Sipas tij, Ministria e Brendshme është rritur në një institucion që është mbrojtës i lirive, të drejtave të qytetarëve dhe sigurisë së tyre. Spasovski tha se nëpunësit policorë tashmë janë njohur si miku i parë që është më i kërkuar në një aksident ose situatë të vështirë.

Në solemnitet u promovuan uniformat e reja për njësinë për operacione speciale dhe për policinë intervenuese.

Në kremtimin e Ditës së Policisë morën pjesë edhe kryeshefi i Shtatmadhorisë së Armatës, Vasko Gjurçinovski, përfaqësues të Qeverisë, ambasadorë dhe atashe policorë, kryesia e Ministrisë së Brendshme si dhe përfaqësues të familjeve të anëtarëve të vrarë të Ministrisë së Brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button