RMV, partitë politike lista të hapura për zgjedhjet lokale, s’kanë qëndrime të unifikuara për parlamentaret

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor në RMV kanë qenë me vite pjesë e debateve të ndryshme në opinion nga ana e partive politike, por edhe faktorëve të tjerë shoqëror, por deri më tani këto debate nuk kanë sjellë një konsensus që do të sillte një propozim ligj në tavolinat e deputetëve në Kuvend, shkruan Portalb.mk. Edhe pse në opinion janë dhënë propozime të ndryshme, partitë deri më tani nuk kanë arritur që të bien dakord rreth ndonjë propozimi që do të ofronte zgjidhje për zgjedhje më cilësore. Megjithatë, kohëve të fundit duket se është bërë një përpjekje më serioze në këtë drejtim, pasi grupe punuese të përbërë pjesëmarrës të partive politike dhe ekspertë të tjerë të fushës, kanë rinisur negociatat për të gjetur një zgjidhje. Por, publikut nuk i janë komunikuar detaje nga këto takime.

Tani për tani, bisedohet për Kodin Zgjedhor sa i përket zgjedhjeve lokale, ku ndër të tjera është propozuar të ketë lista të hapura për këshilltarët komunal. Në lidhje me këtë çështje, partitë kryesisht kanë qëndrime të përafërta, përkatësisht se janë për lista të hapura.

Arbër Ademi nga BDI, deklaroi për Portalb.mk se kjo parti mbështet propozimin që të ketë lista të hapura në zgjedhjet lokale.

“Ne jemi ata të cilët kemi insistuar që të kemi lista të hapura për këshilltarë komunal dhe është mirë që të gjithë partitë politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe të pranojnë një zgjidhje të tillë. Përfitimet nga listat e hapura për këshilltar komunal janë të shumëfishta, por në radhë të parë qytetarët do të kenë mundësi që pavarësisht se në cilën pozitë radhitet kandidati për këshilltarë të zgjedhin të preferuarin e tyre, të zgjedhin ata për të cilin mendojnë se më mirë do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve me këshillin komunal”, deklaroi Ademi.

Ndërkohë, nga VMRO DPMNE thanë për Portalb.mk se qëndrimet e tyre rreth kësaj teme i kanë shprehur disa herë, por tani do të varet se si do të zhvillohen bisedimet e grupeve punues dhe çka do të vendoset në ato bisedime.

“Janë në rrjedh bisedimet. Akoma jemi në atë që e kemi thënë para disa ditëve”, thanë nga kjo parti.

Edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur se mbështesin idenë që të ketë lista të hapura në zgjedhjet lokale.

“Ne kemi deklaruar disa herë. Ne kemi qenë partia e parë që edhe shumë ma herët e kemi kërkuar që gjithmonë kur të hapet debati për ndryshimin e kodit zgjedhor të shkohet me lista të hapura. Në vazhdimësi e kemi thënë edhe pse te çështja e njësive zgjedhore nuk jemi deklaruar gjithmonë edhe pse në fund e kemi përmbajt idenë e tetë njësive zgjedhore, ndërsa për lista të hapura kemi qenë gjithmonë”, deklaroi për Portalb.mk zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Megjithatë, partitë politike parlamentare ende nuk kanë qëndrime të përafruara sa i përket listave të hapura për zgjedhjet parlamentare. Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi tha se, partia shqiptare në pushtet ende nuk ka një qëndrim të prerë rreth kësaj çështje, pasi një herë janë të fokusuar në zgjedhjet lokale.

“Një çështje e tillë tash nuk është diskutuar. Lista të hapura për këshilltar komunal është një hap i rëndësishëm. Duke pasur parasysh që jemi në prag të zgjedhjeve lokale, edhe si parti politike kemi kërkuar dhe kemi insistuar që të ketë lista të hapura. Është herët të flasim për zgjedhjet parlamentare, tash jemi fokusuar në zgjedhjet lokale”, deklaroi Ademi.

Nga ana tjetër, Bexheti tha se ASH-AAA propozon që të ketë lista të hapura edhe për zgjedhje parlamentare, pasi kjo sipas tij, do të kontribuonte në demokratizimin e partive.

“Sigurisht që jemi për lista të hapura edhe për zgjedhjet parlamentare, me ato arsyetimet tona për demokratizimin e vet partive që u jepet mundësia qytetarëve të zgjedhin. Parimisht jemi pro. Të vijnë në shprehje edhe personalitetet e tjera që nuk duhet domosdoshmërisht të jenë pjesë e strukturës të ngushtë partiake, me këtë kemi vlerësuar se bëhet demokratizimi më i madh i vet subjektit politik dhe krijohet një mundësi dhe një qasje për tu ofruar personalitete të lëmive të ndryshme që mund të kenë autoritet në lëmi të caktuar”, deklaroi Flakron Bexheti.

Ndryshimet  në Kodin Zgjedhor kanë qenë temë e diskutimin edhe në takimin mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickiski. Ato pas këtij takimi deklaruan se janë dakorduan për ndryshimet në modelin zgjedhore, në mesin e të cilave janë të përfshira edhe listat e hapura.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, dy deputetë kishin ngritur iniciativën për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por për shkak të përplasjeve mes subjekteve politike të cilat nuk arritën ujdi për sa i përket kësaj çështjeje, ndryshimet e Kodit Zgjedhorë për sa i përket hapjes së listave zgjedhore nuk arritën të miratohen.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button