fbpx

Pavarësisht se nuk parashikohet në ligj, MASH garanton se nxënësit që dëshirojnë të mësojnë me libra të shtypur, do t’u sigurojë shkolla

propozim-ligjin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) që është i qasshëm në ENER, i cili parashikon digjitalizimin e librave nuk shkruan askund se nxënësit prej klasës së katërt në shkollë fillore kanë mundësi të zgjedhin nëse do të mësojnë me libra digjital ose të shtypur, pavarësisht se një gjë të tillë e paralajmëroi ministrja Milla Carovska. Kjo ka ngjallur huti dhe polemika në opinion, ndërkaq MASH garanton se në asnjë rast nuk do të lejojë që cilido nxënës të mbetet pa libër, pavarësisht nëse bëhet fjalë për elektronik ose në formë të shtypur, shkruan Portalb.mk.

Vazhdojnë polemikat në opinion pas paralajmërimit për digjitalizimin e librave në arsimin fillor dhe të mesëm. Shqetësimet kanë të bëjnë në lidhje me atë se propozim-ligji parashikon që nxënësit deri në klasën e tretë të mësojnë me libra të shtypur, ndërkaq prej klasës së katërt dhe deri në mbarimin e shkollës së mesme të mësojnë me libra të digjitalizuar, pa mundësi përzgjedhjeje.

Milla Carovska
Milla Carovska

MASH dhe ministrja, Milla Carovska, paraprakisht kanë premtuar se nxënësit do të mund të zgjedhin nëse duan të mësojnë me libra të shtypur ose digjital.

“Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët me këtë zgjidhje ligjore do të kenë mundësi të zgjedhin libra shkollorë të shtypur ose digjitalë. Ajo që është e rëndësishme është që në këtë mënyrë do të jemi në gjendje përmbajtjet t’i sjellim më afër brezit të ri të nxënësve që jetojnë në botën digjitale, duam apo nuk duam. Ndërprerje, ndërprerje, ndërprerje…Vetë po përpiqeni të impononi një term që nuk ekziston. Ndërprerja nuk ekziston, në ligji për herë të parë, absolutisht garantohet qasje në versionin audio, versionin Braille, versionin digjital bashkëpunues dhe librin shkollor të shtypur dhe kjo është zgjidhja ligjore. Qasja është e kombinuar dhe ajo qasje ekziston në botë, asgjë e re, asgjë domethënëse, nuk po e shpikim ne”, tha Carovska.

Por kjo nuk është përfshirë në propozim-ligjin i cili është i qasshëm në ENER, gjegjësisht nuk jepet mundësi për të zgjedhur:

  • Neni 5, paragrafi 3: Nxënësit e shkollës fillore prej klasës së katërt deri të nëntën dhe nxënësit në të gjitha shkollat e mesme shfrytëzojnë libra në formë digjitale dhe material arsimor dhe didaktik në formë elektronike.
  • Lexo kolumnën për Portalb.mk nga Besa Arifi: Rreth librave

Shqetësime për digjitalizimin e librave

Mitat Shaqiri, mësimdhënës

Arsimtari në shkollë fillore “Imri Elezi”, Mitat Shaqiri, thotë se në esencë, kjo reformë nuk është për t’u kundërshtuar, por se duhet të bëhen analiza.

“Pa dyshim se projekte të tilla duhet bazuar ne analiza paraprake, e këtë na mundëson kjo situate pandemike nga e cila mund të marrim të dhëna statistikore se sa përqind e nxënësve janë të kyçur në procesin mësimor? Sa nxënës nuk posedojnë pajisje kompjuterike? Sa shkolla nuk posedojnë rrymë stabile dhe internet? Cila është struktura sociale e popullatës (Sa janë të aftë t’i mirëmbajnë këto pajisje)? Mendoj se reforma në esencë nuk është për t’u kundërshtuar ad-hok, por jo edhe për t’u aplikuar me çdo kusht këtë vit shkollor. Pra institucionet përgjegjëse për çështje të tilla duhet të jenë të përfshira dhe te japin mendimin e tyre e pastaj të vendoset për këtë projekt. Pra duhet të kemi një arsyeshmëri të qëndrueshme për realizimin e këtij projekti dhe të jetë gjithëpërfshirës pa asnjë element diskriminues”, thotë arsimtari Shaqiri për Portalb.mk.

Besa Sejdiu
Besa Sejdiu

Nxënësja Besa Sejdiu vlerëson se për digjitalizimin e librave duhet që të pyeten edhe nxënësit.

“Digjitalizimi i librave përderisa nuk është i pranishëm në vendet më të zhvilluara, tek ne nuk duhet parë as si alternativë për t’u planifikuar realizimi i saj. Jo vetëm që duhet të ketë opsion për të zgjedhur se a dëshirojmë librat tradicional apo të digjitalizuar, por mendoj që duhet të ketë një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe nxënësve, përmes anketave të ndryshme në mënyrë që çdo vendim i ri të jetë i pranueshëm dhe më i kapshëm për neve nxënësit”, thotë për Portalb.mk, Sejdiu, nxënëse në “Pançe Karagjozov”.

MASH premton që shkollat do të sigurojnë libra për nxënësit që dëshirojnë të mësojnë me libra të shtypur

Arsimi është e drejtë e garantuar për çdo nxënës dhe ne atë e sigurojmë dhe e mbindërtojmë, thonë nga Ministria.

  • Neni 18, paragrafi 8 thotë: Për nxënësit që janë nga familjet e rrezikuara sociale dhe nuk kanë pajisje për të mësuar nga tekstet digjitale nga neni 2 paragrafi (1) pika 2 i këtij ligji, si dhe për nxënësit të cilët për shkak të aftësisë së kufizuar kanë nevojë për pajisje dhe / ose teknologji ndihmëse, shkolla është e detyruar të sigurojë kushte që secili nxënës të ketë qasje në përdorimin e një libri shkollor.

“Nëse është në interes të nxënësit që të shfrytëzojnë formë të shtypur për shkak të realizimit të rezultateve më të mira, ajo do të mundësohet nga shkolla. Nëse, ndonjë nxënës dëshiron, por nuk ka mundësi që t’i shfrytëzojë librat digjital, shkolla do të jetë e obliguar që t’i gjejë në kohë pajisje IT, për çka tanimë po bëhen plane dhe përgatitje për çdo shkollë, po pajisen bibliotekat me numër përkatës të kompjuterëve tablet”, sqarojnë për Portalb.mk nga MASH.

Ata shtojnë se në Ligj është theksuar se për nxënësit e familjeve sociale që nuk kanë pajisje për mësim nga librat digjital, por edhe për nxënësit që për shkak pengesave kanë nevojë për pajisje ose ndihmë teknologjike, shkolla është e obliguar që të sigurojë kushte për çdo nxënës që të ketë qasje deri te përdorimi i librit. Ndërkaq, për pajisjet elektronike, shkolla do të sigurojë edhe ndihmë teknike për mirëmbajtje e tyre.

Nxënësit që do të marrin tablete do të munden t’i shfrytëzojnë në kushte shtëpie

Paraprakisht, ministrja Carovska në një emision në TV21, theksoi se po tentohet që debati për librat digjital të zhvendoset nga pista.

“Libri digjital do të vendoset në pajisje elektronike dhe nxënësi në shtëpinë e tij nuk është patjetër të ketë internet, pra mund të shfrytëzojë pa internet. Nxënësit që do të marrin tablete do të munden t’i shfrytëzojnë në kushte shtëpie. Por, të mos harrojmë se ka nxënës edhe të një grupi që nuk kanë qasje as në rrymën elektrike në shtëpitë e tyre, a këtë vit u tregua se kemi madje 1.300 nxënës të tillë. Për këto nxënës do të sigurojnë qasje edhe deri te pajisja digjitale në shkollë, por nga ana tjetër edhe opsion të shtypur të librit që do ta marrin nga shkolla”, tha ministrja Carovska.

Sipas MASH-it, aspekti më i rëndësishëm i librave digjital janë përfitimet që i sigurojnë për nxënësit – më shumë përmbajtje multimediale të cilat janë interesante për t’i ndjekur, përfitim të njohurive praktike, inkluzivitet gjegjësisht qasje në librat për nxënësit me shikim të dëmtuar, mundësi për përditësim në nivel vjetor me çka përmbajtjet nuk do të vjetërsohen dhe ngjashëm.

Përndryshe digjitalizimi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai edhe pse nuk kanë organizuar bojkot, paraprakisht u shpreh se nuk janë kundër digjitalizimit, por se është një proces i vështirë për vendin tonë, që e pamë gjatë pandemisë dhe mësimit onlajn. Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button