KE-ja nuk planifikon ndarjen e RMV-së dhe Shqipërisë, Gjermania dhe Sllovakia insistojnë që Tirana dhe Shkupi t’i fillojnë bashkë negociatat në qershor

Bashkimi Evropian nuk po përgatitet për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat presin konferencën e parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave nëse Shkupi dhe Sofja nuk gjejnë zgjidhje të përbashkët, thonë funksionarë të lartë të Komisionit Evropian, të cilët i citon portali Politico dhe korrespodenti i Wall Street Journal, transmeton Portalb.mk.

Këto deklarata pasuan pas njoftimeve të komisionerit të BE-së për zgjerimin Oliver Varheji për ndarjen e dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian, nëse Shkupi nuk gjen zgjidhje me Sofjen. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Shkup kur prezantoi vaksinat e para të financuara nga BE-ja kundër Kovid-19, komisioneri i BE-së në lidhje me ndarjen e Shkupit dhe Tiranës tha se procesi i pranimit bazohet në arritjet e secilit vend.

“Ky është proces i bazuar në arritje. Shqipëria i ka përmbushur të gjithë kushtet dhe nëse nuk arrihet marrëveshje për rastin e Maqedonisë së Veriut mendoj se do të vijë edhe ai moment kur do të duhet të shqyrtojmë edhe opsione të tjera. Sot bisedova për këtë çështje me kryeministrin Zaev dhe u dakorduam se duhet të bëhet progres nga të dyja palët”, tha Varheji.

Të njëjtin qëndrim e përsëriti edhe për Euronews, duke theksuar se po hasin në vështirësi sërish me Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se “nuk do të kemi sukses në bindjen e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme, atëherë pyetja është se nëse mund të ecim përpara vetëm me Shqipërinë. Edhe ne duhet ta shqyrtojmë këtë çështje”, tha Varheji.

Sidoqoftë, deklaratat e tij hasën në reagime brenda vetë Unionit dhe treguan se ky nuk është pozicioni i përbashkët në nivelin e Unionit.

Korrespondenti i Wall Street Journal në Bruksel, Lawrence Norman, duke u thirrur në zyrtar të lartë, në Twitter shkroi se pikëpamjet e Varheit devijojnë nga pozicioni i Komisionit Evropian.

“Nuk po përgatisim ndarje, thonë KE-ja, përkundrazi, Komisioni mbështet hapjen e shpejtë të negociatave me të dy vendet”.

Portali i Brukselit Politico sot, duke u thirrur në një zyrtar të lartë, njofton se ai në mënyrë eksplicite mohon deklaratat e Varheit.

“Nga Komisioni pasoi një përgjigje eksplicite: Shërbimet nuk po përgatisin asnjë ndarje,tha zyrtari i lartë, duke sugjeruar që komisioneri hungarez mund të jetë shumë i lidhur në shtëpi, ku ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski mori atë që Hungaria e quan azil pasi u dënua me dy vjet burg për shpërdorim detyre”, shkruan Politico.

Gjermania dhe Sllovakia nga ana tjetër po bëjnë presion që Maqedonia dhe Shqipëria së bashku të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në BE në qershor, njoftoi në Twitter ministri gjerman për Evropën Michael Roth dhe ministri i Jashtëm sllovak Ivan Korçok.

“Gjermania mbështet qëllimin e Presidencës portugeze të BE-së që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mbahet në qershor. Të dy vendet kanë kryer reformat e kërkuara – tani BE-ja duhet të japë nga ana e saj. Vonesa e mëtejshme minon besueshmërinë e BE-së dhe stabilitetin e rajonit, shkroi Roth në përgjigje të deklaratës së komisionerit për zgjerim të BE-së Oliver Varheji se Brukseli mund të fillojë bisedimet e pranimit me Tiranën nëse Shkupi dhe Sofja nuk gjejnë zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.

Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Korçok, sidoqoftë, konsideron se Këshilli i BE-së duhet të heqë veton e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut.

“Politika kredibile për zgjerim të BE-së tani do të thotë refuzim i vetos në Këshill, i cili duhet ta pranojë progresin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Mbajtja e konferencave ndërqeveritare me të dy vendet tashmë po vonon shumë”, shkroi Korçok.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button