fbpx

Guvernatori i Floridas firmosi ligjin elektoral që kritikët e quajnë “anti-amerikan”

Guvernatori Ron DeSantis nënshkroi në Florida të enjten një ligj të ri zgjedhor me ndryshime të mëdha, të cilat shtrëngojnë rregullat për kutitë ku hidhen votat në mungesë si dhe për votimin përmes postës në këtë shtet të konsideruar fushë-beteje gjatë zgjedhjeve presidenciale. Kritikët thonë se ndryshimet do t’ua bëjnë zgjedhësve më të vështirë votimin, veçanërisht të moshuarve dhe njerëzve me ngjyrë, transmeton VOA.

Kjo është fitorja më e fundit në aksionin mbarëkombëtar të republikanëve për të kufizuar qasjen tek vota, për të cilën udhëheqësit e partisë thonë se është e nevojshme për të parandaluar manipulimet zgjedhore. Fushata u nxit nga pretendimi i pabazuar i ish-Presidentit Donald Trump se mandati i tij i dytë iu vodh, një pohim i përsëritur gjerësisht nga mbarë Partia Republikane. Ligjvënësit republikanë të Floridas e kaluan ligjin pa asnjë votë demokrate edhe pasi pranuan se nuk kishte të dhëna për manipulim në këtë shtet, ku ish-Presidenti Trump fitoi me lehtësi në nëntor.

Guvernatori DeSantis, i parë gjerësisht si një kandidat i mundshëm për president, konstatoi qartazi avatazhin politik në luftën për atë që partia e tij e përshkruan si “integriteti zgjedhor”. Në një lëvizje të pashembullt, ai organizoi nënshkrimin e ligjit në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin Fox & Friends, pa lejuar asnjë media tjetër.

Ligji i ri kufizon se kur mund të përdoren kutitë e hedhjes së votave në mungesë, se kush mund të mbledhë fletët e votimit, si dhe sasinë e fletëvotimeve. Ligji urdhëron që kutitë e hedhjes së votës duhet të ruhen dhe të vendosen në dispozicion vetëm kur zyrat e zgjedhjeve dhe vendet e votimit të hershëm të jenë të hapura. Për t’u mbrojtur nga fenomeni i ashtuquajtur “korrja e votave”, një votues me vullnet të mirë mund të mbledhë dhe të dorëzojë vetëm fletët e votimit të familjarëve të afërt, dhe jo më shumë se nga dy njerëz që nuk janë të afërm.

“Tani për tani unë kam ato që mendojmë se janë masat më të forta të integritetit zgjedhor në vend”, tha guvernatori ndërsa e nënshkroi atë. “Ne nuk do t’i lëmë operativët politikë të shkojnë dhe të marrin trasta me vota dhe t’i hedhin ato në ndonjë kuti”.

Mbikëqyrësit e zgjedhjeve në mbarë shtetin nuk i kishin kërkuar këto ndryshime, duke paralajmëruar se disa nga rregullat e reja mund të rezultojnë të vështira dhe të kushtueshme për t’u zbatuar. Aktivistët e votës e sulmuan ligjin si një përpjekje e qartë për të penguar qasjen tek votimi në mënyrë që republikanët të ruajnë avantazhin.

“Legjislacioni ka një ndikim të qëllimshëm dhe disproporcional tek votuesit e moshuar, votuesit me aftësi të kufizuara, studentët dhe komunitetet me ngjyrë. Është një përpjekje e neveritshme nga një legjislaturë e qeverisur nga një parti, për të zgjedhur se kush mund të votojë në shtetin tonë dhe kush jo. Është jo-demokratike, antikushtetuese dhe jo-amerikane”, tha Patricia Brigham, presidente e Lidhjes së Grave Votuese të Floridas.

Lidhja u bashkua me Fondin “Matter” të Votuesve Afrikano-Amerikanë, Aleancën e Floridës për Amerikanët në pension dhe të tjerët në sulmin ndaj ligjit të ri në një padi federale të ngritur disa minuta pas nënshkrimit. Një padi e veçantë federale e paraqitur në Tallahassee nga organizatat NAACP dhe Kauza e Përbashkët, gjithashtu thotë se ligji synon njerëzit që janë afrikano-amerikanë, latinë, ose me aftësi të kufizuara.

“Për një kohë shumë të gjatë, ligjvënësit dhe zyrtarët e zgjedhur të Floridas kanë krijuar një varg të gjerë pengesash që e kanë bërë më të vështirë për këta dhe votuesit e tjerë që të dëgjohet zëri i tyre”, thanë këto grupe.

Ligjvënësi demokrat Charlie Crist, një ish-guvernator i Floridas që njoftoi sfidën e tij ndaj DeSantis këtë javë, shkruajti në Twitter: “Ky është ndryshimi midis @GovRonDeSantis dhe mua. Ai bllokon publikun dhe kujdeset për FOX News. Kur isha Guvernator, të gjithë ishin të ftuar – demokratët, republikanët dhe të pavarurit. Dhe kur të jem përsëri Guvernator, kjo do të jetë një Florida për të gjithë”.

Demokratët pranojnë se ligji i Floridës nuk duket të jetë aq i ashpër sa një ligj i miratuar kohët e fundit në Xhorxhia, një pikë e ndezur në këtë debat kombëtar. Por të dy ligjet përmbajnë disa dispozita të ngjashme.

Përveç rregullave të ngjashme për kutitë e hedhjes së votës në mungesë, ligji i Floridas gjithashtu zgjeron zonën ku nuk lejohet influencimi nga rreth 30 metra, në 50 metra përqark vendvotimeve, gjë që mund të ndalojë furnizimin me ushqim dhe ujë për njerëzit që presin në radhë. Dhe zyrtarët e zgjedhjeve do të duhet të lejojnë kandidatët dhe vëzhguesit e tjerë të dëshmojnë disa momente kyçe të natës së zgjedhjeve në procesin e menaxhimit të votave. Çdo shkelje mund të shkaktojë gjoba të majme deri në 25 000 dollarë.

Ligji i Floridas gjithashtu kërkon që një votues që ndryshon të dhënat e regjistrimit të paraqesë një numër identifikues, ndoshta një patentë shoferi ose një numër të pjesshëm të sigurimeve shoqërore, për të cilat aktivistët thonë se mund të shtojnë një pengesë të mëtejshme dhe t’i mbajnë njerëzit larg mundësisë së votimit.

Ligji i ri gjithashtu kërkon që votuesit që duan një fletë votimi në mungesë, të aplikojnë për një të tillë në çdo cikël zgjedhor. Republikanët fillimisht kishin propozuar ta bënin këtë retroaktive, gjë që do të kishte fshirë menjëherë avantazhin e demokratëve, por ata u tërhoqën nga kjo lëvizje në versionin përfundimtar.

Dispozita të tjera më të ashpra të paraqitura nga disa republikanë – të tilla si ndalimi i plotë i kutive për hedhjen e votave në mungesë, si dhe ndalimi i përdorimit të Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara për rikthimin e fletëve të mbushura të votimit – gjithashtu nuk u futën në këtë ligj.

Gjatë viteve, demokratët dhe grupet e tjera të të drejtave të votuesve janë përpjekur të thjeshtojnë ritualin e votimit, duke përfshirë regjistrimin automatik të votuesve kur aplikojnë për patentë shoferi. Kohët e fundit, ata kanë lobuar për qasje automatike tek votimi me postë. Të shqetësuar se pandemia do t’i mbante njerëzit të mos votonin, demokratët i nxitën njerëzit të votonin herët dhe përmes postës vitin e kaluar, edhe kur ish-Presidenti Trump vinte në dyshim votimin përmes postës.

Rezultati: një numër rekord prej 4.9 milionë banorësh të Floridas votuan me postë në vitin 2020 dhe demokratët i tejkaluan republikanët në votat me postë për herë të parë ndër vite, duke shënuar një avantazh prej 680 000 votash. Ligji i ri kërkon ta fshijë këtë avantazh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button