Komisioni i ligjeve miraton nismën për shkarkimin e presidentit Meta

Në Shqipëri, komisioni parlamentar i ligjeve i propozoi sot parlamentit të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, “për shkelje të rënda të Kushtetutës”, para dhe gjatë procesit zgjedhor të muajit prill, raporton VOA.

Komisioni e miratoi raportin, edhe pse nuk u bë e mundur një seancë dëgjimore me presidentin brenda 24 orëve, i cili, për shkak të axhendës së ngarkuar, kërkoi të paraqitej ditën e hënë.

Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi sot me 14 vota pro e një kundër raportin, që pëmbledh pretendimet e grupit propozues të deputetëve për shkakrkim të presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Me miratimin e këtij raporti i propozohet parlamentit nisja e procedurave të shkarkimit dhe ngritja e një komisioni hetimor për një seri shkeljesh të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës.

Komisioni i ligjeve i kërkoi dje presidentit Meta të vinte sot në një seancë dëgjimore, por kjo nuk u bë e mundur.

Presidenti i dërgoi një letër komisionit ku ai tha se koha ishte e pamjaftueshme të paraqitej në një seancë dëgjimore me ligjvënësit sot paradite ndërsa ftesën e mori dje pasdreke dhe kërkoi që kjo zhvillohej ditën e hënë.

Ai tha se nuk mund të ndryshonte axhendën e ditës së sotme, ku janë parashikuar prej kohësh takime me personalitete të huaja, duke kërkuar zhvillimin e seancës dëgjimore të hënën.

Por kryetari i komisionit, Ulsi Manja, tha se rregullorja e parlamentit i njeh të drejtën presidentit të dëgjohet në një seancë, ndërsa të drejtën për organizimin dhe thirrjen e mbledhjeve e ka komisioni.

Presidenti, sipas tij, nuk mund të kishte gjë më të rëndësishme se sa një kërkesë për shkarkimin e tij, por me këtë shtyrje kohe, që kërkoi deri të hënën, synoi të tejkalohen afatet ligjore, dhe e hodhi në votim raportin pa e pritur dëgjimin e tij.

Megjithatë, tha zoti Manja, presidenti ka sërish të drejtën të dëgjohet në komisionin hetimor, nëse ai ngrihet në seancë nga parlamentti.

Komisioni vazhdoi punën me dëgjimin e relatores, që foli për një “numër të madh provash nga veprimtaria e Presidentit me shkelje të rënda të Kushtetutës para dhe gjatë procesit zgjedhor, duke shkelur paanshmërinë dhe duke nxitur dhunë e urrejtje”.

Vendimi i sotëm iu përcoll menjëherë parlamentit, i cili mblidhet nesër në seancë plenare për vazhdimin e procedurave lidhur me ngritjen e komisionit hetimor, që do të vlerësojë kërkesën për shkarkim.

Komisioni hetimor mund të miratohet në seancë plenare brenda datës 9 maj, që përkon dhe me fillimin e katërmujorëshit të fundit të parlamentit, afat pas të cilit nuk mund të ngrihen komisione hetimore.

Deputetët socialistë janë të detyruar të respektojnë me përpikmëri procedurat, sepse vendimi i fundit i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë kushtetutshmërinë e procesit të ndjekur.

Një nismë e ngjashme dy vjet më parë u mbyll me tërheqjen e socialistëve, pasi Komisioni i Venecias vlerësoi se “sjellja e Presidentit, nuk duket se justifikon shkarkimin e tij”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button