Rreth librave

Nisma për reforma në arsim e cila ka për qëllim digjitalizimin e materialit mësimor për nxënësit u aktualizua në mënyrë shumë interesante gjatë këtyre ditëve. Edhe për këtë nismë, ashtu si që ndodhi paraprakisht me konceptin e ri për më pak lëndë mësimore dhe për multidisiplinaritet të arsimit dhe edukimit fillor, u paraqitën informata nga më të ndryshmet, shpesh edhe të pavërteta të cilat më shumë ngrisin panikë se sa që kontribuojnë në adresimin e shqetësimeve të mirëfillta për mungesat e sistemit të tashëm arsimor. Filluan të përhapen edhe dezinformata se procesi mësimor do të transformohet tërësisht në një proces onlajn, edhe pas mbarimit të pandemisë (që nuk ka të bëjë fare me realitetin), se fëmijët nuk do të kenë më asnjë lloj kontakti me librat (që nuk është aspak e vërtetë), si dhe se ata do të përdorin pajisje tjera elektronike në të gjitha lëndët, bile edhe në edukate fizike ndoshta do i përdorin tabletet në vend të topit (që është e paimagjinueshme)!

Është e mahnitshme të shohësh sa me lehtësi përhapen dezinformata të tilla, sa shpejt njerëzit përfshihen në nisma pa e njohur mirë as procesin ekzistues e as reformat që propozohen. Mbi të gjitha është shqetësuese frika që mbillet tek njerëzit, atmosfera sikur diçka e tmerrshme po ndodh me fëmijët tanë, tmerri për ardhmërinë e tyre të cilën ne as nuk mund ta paramendojmë e ku më të kemi ndonjë kontroll mbi të.

Po a ka gjë më të frikshme se librat e copëtuar që fëmijët i marrin tani në shkolla kur e fillojnë vitin e ri shkollor? Libra të vjetër, të paruajtur, të dhunuar, të keqtrajtuar në mënyrat më brutale. Ata që mërziten shumë për kontaktin e fëmijës me librin shkollor, është mirë t’i udhëzojnë pak fëmijët e tyre se si duhet trajtuar libri, veçanërisht ai që pasi të përdoret nga ata duhet të përdoret edhe nga dikush tjetër.

Për ata që nuk e dinë, digjitalizimi i teksteve shkollore nuk është temë e re. Të gjitha tekstet shkollore dhe lektyrat tani më qëndrojnë në formë të digjitalizuar në web faqen oficiale të Ministrisë së Arsimit, bile shumë mësues dhe arsimtarë tani më i përdorin ato si resurse të rëndësishme në procesin arsimor. Pra nuk është se bëhet fjalë për diçka të sapozbuluar, tekstet shkollore tash më janë digjitale edhe në vendin tonë dhe shumë nxënës preferojnë ti përdorin ato krahas librave të coptuar të cilat ua jep shkolla.

Por kur flasim për kontaktin e fëmijës me librin për të cilën gjë prindërit duken thellësisht të shqetësuar, është mire të mendohemi pak lidhur me atë se kur saktësisht ne si prindër e krijojmë këtë kontakt të fëmijës me librin? Nëse presim që në klasën e katërt fëmijët tanë të krijojnë ose të humbasin kontakt me librin, atëherë më vjen shumë keq ta them, por jemi tmerrësisht të vonuar në këtë proces.

Në botën bashkëkohore, kontakti i parë i fëmijës me librin nuk ndodh në shkollë, por shumë më herët. Ka libra të specifikuar për secilën grupmoshë, bile edhe për ata më të vegjëlit, në kohën kur ata duhet të zhvillojnë aftësitë kognitive. Pra ka libra special për bebe deri në dy vjeç, dhe ashtu si rritet fëmija përshtaten edhe librat për të. Veprat më të mëdha të klasikëve i gjejmë të botuar në shqip dhe të adaptuar për moshat më të reja. Iliadën, Odisenë, Eneidën, Shekspirin, të gjitha në shqip. Botime të mrekullueshme të cilat duhet të jenë pjesë e kujdesit për fëmijët tanë, të cilëve krahas trupit duhet t’ua ushqejmë mendjen dhe shpirtin. Kjo është përgjegjësia jonë si prindër. Nuk kanë thënë kot që pesë vitet e para janë vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës. Nëse gjatë kësaj kohe fëmija nuk ka zhvilluar dashurinë për librin, nuk është mësuar të dëgjojë prindin që t’i lexojë në darkë para gjumit, nuk ka krijuar shprehi dhe pritshmëri që kjo formë e leximit të përsëritet çdo mbrëmje dhe çdo ditë, atëherë vështirë se mund të flasim për kontakt të mirëfilltë të fëmijës me librin. Kontaktin e parë me librin fëmija e krijon në shtëpi përmes prindit, dhe më pas e zhvillon këtë kontakt në shkollë përmes mësuesit.

Fatkeqësisht në rrethin tonë shumë fëmijë kanë kontakt më të afërt me celularin se sa me librin. Dhe për këtë sërish përgjegjësinë duhet ta mbajnë prindët që lejojnë një fëmijë dy vjeçar të rijë me orë të tëra para ekranit, ose një fëmijë gjashtë vjeçar të mos dijë të ndalojë duke luajtur video-lojëra. Mungesa e kontrollit të kohës që fëmijët e kalojnë para ekranit është çështje ku shumë prindër dështojnë. Më pas, të njëjtit prindër presin që shkolla ta ndalojë digjitalizimin dhe ankohen se resurset digjitale ndikojnë në zgjatjen e kohës të cilën fëmijët e kalojnë para ekranit.

Librat digjitalë janë resurse të rëndësishme të arsimit me të cilat fëmijët do të ballafaqohen shumë shpejt në procesin arsimor. Sot është e pamundur të paramendohet çfarëdo lloj hulumtimi serioz pa aftësi të zhvilluar të përdorimit të resurseve digjitale. Të gjitha bibliotekat botërore funksionojnë në formë të digjitalizuar, dhe pjesa kryesore e të dhënave gjinden pikërisht onlajn. Të mendosh se fëmijët nuk duhet të jenë pjesë e këtij digjitalizimi do të thotë t’ua pamundësosh atyre të drejtën që të shkollohen, të përparojnë, të arsimohen dhe të funksionojnë në mënyrë normale.

Fëmijët duhet të mësohen t’i përdorin këto resurse dhe ta kuptojnë një herë e mirë se interneti, kompjuteri dhe tableti nuk janë vetëm objekte argëtimi, ku ata hynë në Youtube, Facebook dhe Instagram edhe kur nuk kanë moshën e duhur për këtë, por janë vendi prej ku merren informata të shumta vërtetësinë e të cilave ata duhet dalë ngadalë të mësohen ta verifikojnë. Këto janë aftësi pa të cilat ata vështirë se do të mund të gjinden në të ardhmen që i pret. T’i mbash fëmijët jashtë këtij procesi vështirë se i bën ata më të aftë për jetë, përkundrazi, ata mbesin pa i zhvilluar aktësitë e nevojshme për tu gjindur në një botë të cilën ne nuk arrijmë as ta kuptojmë në tërësi.

E megjithatë librat klasikë nuk do të humbasin, edhe pse një frikë e pakuptueshme përhapet si mjegull në këtë drejtim. Por sa thelbësor do të jetë kontakti i fëmijës me librin varet shumë nga ajo sa prindi investon tek zhvillimi i shprehive të të lexuarit te fëmijët e vet. Fundja në një vend ku niveli i të lexuarit është tmerrësisht i ulët, ku libri më i fundit që kanë lexuar shumë njerëz janë mesazhet në Viber dhe Whatsapp, vërtet e kam të vështirë ta kuptoj gjithë këtë histeri që përhapet për “humbjen e kontaktit me librin”. Nuk mund të humbasësh diçka të cilën asnjëherë nuk e ke pasur. Kush dëshiron të lexojë e të zhvillohet, këtë ka mundur gjithmonë ta bëjë, ndërsa në epokën e digjitalizimit, mundësia për lexim dhe zhvillim është pa kufi dhe varet vetëm nga ajo kush sa dëshiron të njejtën ta shfrytëzojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button