Shekerinska në Romë, takime me funksionarë italian, përveç NATO-s u bisedua edhe për eurointegrimet

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska po qëndron për vizitë në Romë, ku po zhvillon takime me funskionarë të lartë italian. Përveç për çështjet që kanë të bëjnë me NATO-n, në këto takim u bisedua edhe për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral bazuar në një qëllim të përbashkët: Ballkan i qëndrueshëm dhe i prosperuar për Evropë të fuqishme. Kontributi i ARM-së në KFOR në Kosovë, nën komandën e një gjenerali italian, akoma më shumë forcoi aleancën midis dy vendeve dhe kontribuon në sigurinë e fushës euro-atlantike, ishte ky mendimi i përbashkët i ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe homologut të saj italian Lorenzo Gueri.

Prova për forcim të marrëdhënieve të mbrojtjes është rinovimi i Marrëveshjes për bashkëpunim mbrojtës midis Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, me të cilën Marrëveshja fitoi vlefshmëri të pakufizuar.

Siç informoi Ministria e Mbrojtjes, ministrja Shekerinska në takim theksoi se pas anëtarësimit në NATO, Maqedonia e Veriut kontribuon në sigurinë kolektive të Aleancës.

“Maqedonia e Veriut po punon në mënyrë të përshpejtuar në atë fushë. Ne jemi anëtari më i ri i NATO-s, gjë që na bën edhe më të motivuar të jemi një aleat i njohur që jep kontribut të rëndësishëm në sigurinë e të tridhjetë vendeve. Zhvillimi i poligonit tonë më të madh, ‘Krivollak’, i cili vlerësohet nga oficerët e lartë të NATO-s si një terren testimi që ofron kushte gjithëpërfshirëse për zhvillimin e ndërveprimit, do të thotë zhvillimi i Aleancës. ARM-ja ka filluar një proces të pajisjes dhe modernizimit i cili mundësohet nga buxhetimi i qëndrueshëm i mbrojtjes nga e cila nuk devijojmë”, tha ministrja Shekerinska.

Ministri italian Guerini porositi se pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së stabilitetit dhe sigurisë së të gjithë rajonit të Ballkanit. Ai shprehu mbështetje të fortë për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.

Ballkani duhet të jetë i qëndrueshëm – ranë dakord Shekerinska dhe Guerini, ndërsa rinovimi i perspektivës evropiane është një hap i rëndësishëm për sigurinë e rajonit.

Ministrja Shekerinska në Senatin italian, u takua me kryetaren e Komitetit të mbrojtjes, Roberta Pinotti, me të cilën diskutuan bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Pinotti i shprehu mbështetje të fortë ministres për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Shekerinska u takua edhe me përfaqësuesin e lartë të Qeverisë italiane, nënsekretarin e shtetit për çështjet evropiane Vincenzo Amendola.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që negociatat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ruhet besueshmëria e procesit të zgjerimit dhe të dekurajohen idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që do të thoshte destabilizimi i kësaj pjese të Evropës.

“Vetoja e Bullgarisë minon besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Zbehja e perspektivës evropiane për vendet e rajonit inkurajon idenë e rishikimit të kufijve dhe ngre alarmin. Ne ndajmë vlerat evropiane dhe rajoni nuk duhet të shtyhet përsëri pas në nacionalizma. BE ka përgjegjësi që të marrë vendimet e duhura dhe të rinovojë perspektivën Evropiane për vendet e rajonit që e meritojnë atë – është garancia më e mirë për stabilitetin dhe përparimin e rajonit si pjesë e Evropës”, tha ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në takim me nënsekretarin për politikën evropiane në qeverinë italiane, Vincenzo Amendola.

Ai rikonfirmoi pozicionin e Italisë si mbështetës i fortë i integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe vlerësoi se mos përcaktimi i një date për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me BE-në është gabim serioz historik që duhet korrigjuar.

“Italia do të vazhdojë të lobojë në mënyrë aktive për hapjen sa më të shpejtë të bisedimeve të pranimit dhe për konferencën e parë ndërqeveritare që të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Amendola.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button