Për një shoqëri civile..

Forca vepruese e një shoqërie të konsoliduar demokratike është pikërisht, organizmi që jemi mësuar ta njohim si shoqëri civile. Ky mekanizëm me peshë specifike në funksion të shoqërisë ka tregues cilësorë në avancimin e politikave kulturore, sociale, ekonomike, apo dhe ne funksion të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Mungesa e eficencës së këtij organizmi krijon zbrazëtira të mëdha dhe nga ana tjetër i krijon luksin politikanëve të anashkalojnë problematikat. 

Pra, krijimi i një traditë ku del në pah roli dhe pesha e shoqërisë civile do të ishte një vlerë e shtuar në mbarëvajtjen e sistemit demokratik dhe të demokratizimit të shoqërisë. Këtu tek ne akoma nuk është krijuar një rrjet funksional i shoqërisë civile e cila do të merrte përsipër të ishte korrektore dhe promotore e ndryshimit të praktikave të deritanishme. Për pasojë, ata të cilët marrin mandatin e qytetarit e keqpërdorin atë dhe kështu ballafaqohemi me fenomene të ndryshme që bie ndesh më principet dhe normat e demokracisë.

Kur flasim për çështjet e kulturës, artit, për problemet sociale dhe ekonomike, kur flasim për mungesën e reagimit kolektiv të shoqërisë ndaj padrejtësive, kur themi se ende nuk kemi një shpirt ngacmues ndaj çështjeve që mbeten pezull, menjëherë mendja na shkon se mungon një element i rëndësishëm, siç është ai i shoqërisë civile. Kur flas për një shoqëri civile e kam fjalën jo thjeshtë për ekzistencën e saj, por për eficencën, qasjen, mënyrën e organizimit dhe metodologjinë e reagimit. Këto elementë mungojnë ose janë të papërfillshme kundrejt çështjeve me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët. 

Në këto kushte është e udhës që të merren në konsideratë komponentët të cilat janë kundërveprues ndaj çdo fenomeni që dëmton interesat e qytetarit, apo në terma ekonomikë të konsumatorit, apo taksapaguesit. 

Është e pafalshme që nuk kemi ende një zë me peshë brenda shoqërisë tonë që të ngre zerin e arsyes papunësisë, për problemet me të cilat ballafaqohen rinia, për problemet që shfaqen në arsim, kulturë, shëndetësi, për çështje të tjera të karakterit etnik të cilat në të shumtën e rasteve bëhen shkak për kriza të panevojshme. Unë jam për një shoqëri civile e cila do të trondiste nga themelet burokratët, ata të cilat harrojnë që kanë marrë përgjegjësi.

Shoqëria jonë ka nevojë për një zë të fuqishëm që të mbështet në funksion të nxitjes për zgjidhjen e problemeve të tyre. Pa një shoqëri civili eficentë, pa një force reaguese dhe vepruese kundrejt padrejtësive, ne do të mbetemi në kuadër të heshtjes e cila nesër mund të jetë e dhimbshme!

Lajme të ngjashme

Back to top button