Von der Layen: Modernizimi i hekurudhës nga Beogradi në Maqedoninë e Veriut, kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet e ardhshme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, i dërgoi letër Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën i falenderohet për “takimin produktiv në Bruksel më 26 prill”, shkruan gazeta serbe “Blic”, transmeton Portalb.mk.

Në letër, ajo thekson se veçanërisht i gëzohet bashkëpunimit në projektin e madh për modernizimin e hekurudhës Beograd-Nish-Preshevë, deri në kufirin e Serbisë me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Blic-it, von der Layen thekson se projekti është “një hap i madh përpara dhe një kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet tona të ardhshme”, dhe shton se është “e lumtur që ky projekt është në Planin ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor, i cili është miratuar nga Komisioni evropian vjeshtën e kaluar”.

Presidentja e Komisionit Evropian shton se “Komisioni tashmë po punon me shpejtësi të plotë për të zbatuar projektin”.

Ditë më parë ishin takuar presidentja e KE-së Ursula von Der Leyen dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Epilogu i takimi ishte hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin maqedono-serb afër Tabanovcit, projekt kapital i infrastrukturës për të cilin Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Serbinë me investim financiar midis 35 dhe 50 përqind të fondeve të nevojshme, ose nga 600 në 700 milion euro, raportoi ditë më parë e përditshmja serbe Politika.

Presidentja e Komisionit Evropian, po atë ditë,  në postimin e saj në Twitter theksoi se me Presidentin Vuçiq biseduan për pandeminë kovid-19, dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, nevojën për një hap pozitiv drejt sundimit të ligjit në Serbi, rimëkëmbjen ekonomike dhe hekurudhën nga Beogradi deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut të cilën BE është e gatshme ta mbështesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button