Pa parlament të plotë nuk ecet drejt BE, e paralajmëroi Varhejl Shqipërinë

Komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha sot në Tiranë se “pa një parlament të plotë nuk është e mundur të ecet drejt Bashkimit Europian”. Ai bëri këto komente në përgjigje të një pyetje lidhur me situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Opozita në vend i mbahet qëndrimit të saj për një masakër elektorale. Në forcën kryesore opozitare, Partinë Demokratike, janë hedhur ide nga më të ndryshme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Kryetari Lulzim Basha mësohet të ketë kundërshtuar dje, gjatë një takimi me kandidatët për deputetë, propozimet për protesta duke u shprehur se “nuk është koha tani” pasi më parë sipas tij “duhet të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”.

Komisioneri Varhelyi deklaroi gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama se “të gjitha parregullsitë, qoftë blerja e mundshme e votave, duhet të ndiqen nga të gjitha autoritetet gjyqësore”. Komisioneri europian shpjegoi se mundësia e një vendimi në Qershor për organizmin e Konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë do të kërkojë që “puna jo vetëm duhet të vazhdojë por dhe të përshpejtohet, jo vetëm nga qeveria, por dhe parlamenti i ri”.

Nga ana e tij kryeministri Rama përsëriti se shumica do të mbajë të shtrirë dorën e bashkëpunimit me PD-në. “Bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër, bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin dhe për sa na takon do të fokusohemi plotësisht te punët e mëdha për të cilat jemi votuar e do ta mbajmë dorën të shtrirë pa asnjë ndërprerje për opozitën, për PD-n, e cila është ë mirëpritur, kurdoqoftë e sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë, për të hapur një proces diskutimi, krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si mund të kontribuojmë bashkarisht për të shtyrë sa më shumë përpara punët e patjetër dhe integrimin europian të Shqipërisë”, deklaroi zoti Rama.

Komisioneri Varhelyi ishte sot në Tiranë në kuadër të një turi Ballkanik për nisjen e shpërndarjes së 650 mijë dozave të vaksinave Pfizer, që BE ka ofruar si donacion për vendet e Ballkanit Perëndimor. Prej këtyre, Shqipëria pritet të marrë deri në muajin gusht 145 mijë doza, ndërsa në vend kanë mbërritur deri më tani afro 750 mijë doza, nga të paktën 4 lloj vaksina. Deri mbrëmë ishin përdorur mbi 537 mijë dhe të paktën 100 mijë persona kanë marrë tanimë të dyja dozat e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button