EDHE VIGANËT TËRHIQEN…

Kur shkrepi arma e zjarrit, Muja i tha Halilit: “Lum Halili na s’kem shka me ba ma mbi ftyrë të tokës!” dhe të dy “hynë në birë të dheut e s’u panë ma”.

Kishte perënduar koha e viganëve të eposit dhe trimërive epike, ku fitorja ose humbja vareshin nga shkathtësia personale e luftëtarit.

Koha e re e kishte mposhtur kohën kalorësiake.

Shpikja e re e kishte ndryshuar mënyrën e luftës dhe të jetesës.

Kishte ardhur koha e atyre që dinin si t’i përdornin shpikjet e reja.

Para shpikjes së re, sipas eposit, dy kreshnikët ishin emra të përmendur.

Pas shpikjes së re nëse kreshnikët do të ngulnin këmbë të qëndronin “mbi ftyrë të tokës”, atëherë do të ishin bërë martirë ose gazi i botës. Do të ngjanin me Don Kishotin që udhëhiqej nga fantazitë e së kaluarës dhe jetonte në botën e tij të përfytyruar.

Fantazia gjeniut anonim e sajoi këtë rrëfim si për të treguar se askush nuk ishte i përhershëm dhe i fuqishëm sa të luftonte kundër kohës.

Ky mësim vlen edhe për prijësit tanë, që e torturojnë skenën politike me trimëritë e vjetra.

Ata nuk duan të tërhiqen edhe pse u ka kaluar koha.

Ata do të vazhdojnë të rrojnë “mbi ftyrë të tokës” derisa një ditë të trajtohen jo si viganë apo kreshnikë, por si gaz i botës.

Viganët e vërtetë e dinë kur duhet të tërhiqen, prandaj kujtohen si të tillë.

Viganët e rremë mendojnë se bota nuk mundet pa ata, prandaj përfundojnë si personazhe komike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button