Konsensusi për dialogun, Kurti këtë muaj do të takohet me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë muajit maj pritet të ftojë në takim partitë opozitare për t`u koordinuar lidhur me bisedimet me Serbinë, raporton Koha.net.

Nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë treguar konkretisht se kur do të bëhet një gjë e tillë, derisa kanë shtuar se nga opozita do të kërkojnë bashkëpunim për çështjet me interes nacional. Por, partitë opozitare para ftesës nga Kurti kanë thënë se nga ai presin që për dialogun të raportojë në Kuvendin e Kosovës.

Duke mos treguar se kur mund të bëhet një gjë e tillë, nga ekzekutivi kanë thënë se e kanë për obligim kushtetues dhe se Kurti do ta respektojë atë.

“Kemi thënë se për çështje me interes nacional do të konsultohemi dhe kërkojmë bashkëpunim me partitë dhe liderët opozitarë. Dialogu është temë me interes nacional. Siç ka deklaruar kryeministri Kurti, presim që gjatë muajit maj, në një kohë të përshtatshme për të gjithë të fillojmë konsultimet me subjektet opozitare në Kuvend. Kujtojmë që Kushtetuta e parasheh që Kuvendi ka rol mbikëqyrës mbi Qeverinë dhe Qeveria i raporton Kuvendit, andaj kryeministri Kurti do ta respektojë me përpikëri këtë raport të përcaktuar nga Kushtetuta”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeveri.

Para Kurtit në kuvend për të folur për vizitën e javës së kaluar në Bruksel është ftuar zëvendësi i tij, Besnik Bislimi. Të mërkurën, Bislimi do të raportojë para anëtarëve të Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.

E të gatshëm për bashkëpunim lidhur me dialogun janë nga AAK-ja.

“Në rast se i kërkohet aleancës, nëse bëhet një kërkesë e sinqertë dhe që i kërkohet roli dhe si subjekte politike dhe si lider unë besoj se do të jenë në dialog”, ka deklaruar Bashkim Ramosaj, anëtar i kryesisë së AAK-së.

Se në temat si dialogu e të ngjashme duhet të jetë e përfshirë edhe opozita, e thonë edhe nga shoqëria civile.

“Përtej kësaj prapë do të ketë tema, do të dalin tema që do të duhej të ketë një konsensus më të gjerë politik përveç partisë në pushtet e cila e ka lluksin që për shumë gjëra të vendos e vetme duke qenë se i ka edhe votat e deputetëve të siguruara mirëpo përtej kësaj në disa çështje më specifike do të duhej të kemi një konsensus më të gjerë politik”, është shprehur Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL.

Por, sikurse edhe për temat e tjera, ashtu edhe për dialogun, qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur programin qeverisës. E për harmonizimin e të cilit, për të dytën ditë radhazi deputetët e Vetëvendosjes janë takuar me kabinetin qeveritar.

Në mungesë të tij, nga LDK-ja kanë arsyetuar opozitarizmin e bërë deri më tani.

“Ne si parti, LDK është në pritje, do t`i japim më shumë kohë qeverisë që të fillojë të tregoje dhe opozitarizmin tonë atëherë do ta fuqizojmë edhe më tepër”, ka thënë Teuta Sahatqija, anëtare e kryesisë së LDK-së.

Pas refuzimit të pjesëmarrjes në takimin e paralajmëruar për 11 maj, kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq para fundit të muajit qershor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button