Mourinho u kthye në Itali për të udhëhequr klubin nga Serie A

Jose Mourinho rikthehet në Itali 11 vite pasi fitoi gjithçka me skuadrën e Interit, këtë herë për të drejtuar rivalët më të fortë të zikaltërve në atë kohë, kryeqytetasit e Romës, raporton SS. Vetëm pak orë pasi njoftoi se nuk do të rinovojë kontratën me Paulo Fonsecën, klubi verdhekuq dha edhe lajmin e bujshëm se në pankinë do të ulet një tjetër portugez, pikërisht “the special one”.

“Klubi i Romës ka kënaqësinë t’u njoftojë se trajneri i parë e skuadrës, duke nisur nga sezonit 2021-2022, do të jetë pikërisht Jose Mourinho”, shkruan verdhekuqtë në Twitter, duke zbuluar se kanë firmosur bashkë një kontratë 3-vjeçare.

Tekniku portugez u shkarkua nga Tottenham më 19 prill të këtij viti, pas disa rezultateve negative, ndërsa dy ditë më parë pati paralajmëruar një rikthim në Itali, duke konfirmuar se nuk do të mendohej dy herë për të drejtuar një rival të Interit.

Shumë atëherë menduan se portugezi mund të ishte në negociata me Juventusin, por duket se Roma ka punuar në heshtje për të arritur marrëveshjen me Mourinhon, i cili tha edhe fjalët e para si trajneri i ri i verdhekuqve.

“Pasi diskutova me pronarët dhe me drejtorin Tiago Pinto, menjëherë kuptova se sa e madhe është ambicia e këtij klubi. Kjo aspiratë dhe kjo shtytje janë të njëjtat që gjithmonë më kanë motivuar dhe së bashku duam të ndërtojmë një rrugë fituese në vitet që vijnë. Forca Roma”, shkroi Mourinho në Instagram.

Ulja e portugezit në pankinën e Romës konfirmon edhe projektin ambicioz të presidentit të ri të verdhekuqve, Dan Friedkin, i cili nëpërmjet një deklarate nuk e fshehu kënaqësinë për firmën me Mourinhon dhe premtoi ndërtimin e një klubi fitues.

“Jemi të kënaqur dhe të entuziazmuar që mirëpresim Jose Mourinhon në familjen e Romës. Ai është një kampion i lindur, që ka fituar trofe në çdo nivel dhe që garanton përvojë dhe lidership për një projekt shumë ambicioz si ky i yni. Angazhimi i José përfaqëson një hap të madh përpara në ndërtimin e një mentaliteti fitues, solid dhe të qëndrueshëm në klubin tonë”, u shpreh Friedkin.

Një nga njerëzit që ka punuar më shumë për të sjellë Mourinhon në kryeqytetin italian, ka qenë edhe portugezi tjetër Tiago Pinto, i cili prej muajsh mbulon rolin e drejtorit teknik të Romës dhe pas firmës nuk e fshehu entuziazmin.

“Mbetëm të impresionuar nga pasioni i tij për futbollin dhe dëshira për të fituar. Trofetë e fituar nuk përfaqësojnë asgjë për të, pasi ka gjithmonë uri për të fituar më shumë në të ardhmen, Projektet e mëdha kërkojnë kohën dhe njerëzit e duhur, ndaj ne besojmë se me Mourinhon kemi hedhur bazat e duhura si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen”, deklaroi Pinto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button