Edshtadler: BE-ja duhet ta shpërblejë Maqedoninë për të gjithë hapat e ndërmarrë deri tani

Austria është në zemër të Evropës dhe Maqedonia e Veriut është në zemër të Ballkanit. Unë dua që dy zemrat të bashkohen në BE, tha ministrja për Evropën dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edstadler, e cila është për vizitë në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Ministrja sot u takua me zëvendës kryeministrin për çështjet evropiane, Nikolla Dimitrov, me të cilin zhvilluan takim në Vjenë dhjetë ditë më parë, por tani u takuan me rastin e dorëzimit të vaksinave Pfizer nga Bashkimi Evropian.

“Duhet të kujdesemi për këtë pjesë të Ballkanit, e cila është shumë e rëndësishme për ne. Kemi bashkëpunim ekonomik, Ballkani Perëndimor është një qendër sigurie dhe pa të BE-ja nuk është e plotë. Kjo gjë nuk duhet të shprehet vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Prandaj u gëzohem vaksinav që vijnë nga BE”, tha Edstadler.

Ministrja austriake theksoi partneritetin me vendin tonë dhe mbështetjen që Vjena i jep Maqedonisë dhe për këtë arsye dëshiron që procesi i zgjerimit të zhbllokohet dhe konferenca e parë ndërqeveritare të zhvillohet gjatë presidencës portugeze deri në qershor.

Ajo zbuloi se Austria ofron të jetë ndërmjetës midis Bullgarisë dhe Maqedonisë për të kapërcyer ngërçin, i cili do të zhbllokojë perspektivën evropiane të RMV-së.

“Nuk i kuptoj disa vende këtu që bllokojnë aspiratat e Maqedonisë, nuk e kuptoj Bullgarinë, por kemi besim të plotë në presidencën portugeze. Nuk e di të gjithë historinë, por e di se çfarë do të thotë të merresh me të kaluarën. Unë jam politikane që kujdesem për të ardhmen dhe perspektivën. Maqedonia e Veriut i përket Evropës dhe duhet ta përfundojmë atë proces. Dua që Maqedonia të shpërblehet për të gjithë hapat që ka ndërmarrë deri më tani”, shtoi Edstadler.

Zëvendës Kryeministri Nikolla Dimitrov falënderoi Austrinë për përpjekjen për të qenë pjesë e negociatave me Pfizerin për shpërndarjen e vaksinave në Maqedoni, për mbështetjen e Vjenës në procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin ekonomik.

Dimitrov theksoi rëndësinë që Maqedonia të bëjë përparim drejt BE-së dhe të fillojë negociatat menjëherë pas 16 vitesh pritje në dhomën e pritjes së BE-së.

“Ne kemi qenë vend kandidat për 16 vjet dhe rasti ynë është test i vërtetë për BE-në. Është koha të fillojmë negociatat e pranimit. Me Bullgarinë jemi fqinjë që ndajnë shumë. Në këtë kontekst ose do të jemi bashkë ose do të jemi fitues së bashku. Ne humbëm disa gjenerata në dhomën e pritjes së Evropës. Kemi bërë shumë gjatë viteve të kaluara dhe zgjidhjen e problemeve në shtëpi dhe problemeve me vendet e tjera. Nëse BE-ja e flak këtë sukses, do t’i dërgojë një mesazh të keq rajonit. Na duhet mesazh nga BE-ja që është vërtet serioz kur bëhet fjalë për zgjerimin. Suksesi do të thotë nxitje për ne, suksesi për BE-në do të thotë që Bashkimi të zbatojë vendimet e tij. Duhet t’i hapim të gjitha kanalet e komunikimit me Bullgarinë, ne nuk kemi shumë luks t’i humbim shanset. Duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë. Na duhet sukses, na duhet konferencë ndërqeveritare”, tha Dimitrov.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje edhe zëdhënësja për zgjerim Anna Pisonero, deklaroi se Komisioni Evropian pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas saj, ky është pozicioni i qartë i KE-së, por Këshilli i BE-së është ai që duhet ta miratojë kornizën negociuese që e kemi paraqitur kohë më parë.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Masse porositi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet që të ndahen në procesin e negociatave me BE-në.

Zëdhënësja e zgjerimit, në brifingun e djeshëm të rregullt për gazetarë, siç raportoi MIA nga Brukseli, duke iu përgjigjur pyetjeve, përsëriti qëndrimin e Komisionit Evropian.

Pisonero shtoi se pritet nga presidenca portugeze të thërrasë konferencat për të dy vendet sa më shpejt të jetë e mundur.

Komisioni Evropian konsideron se të dy vendet janë të gatshme të fillojnë negociatat me BE menjëherë pasi vendet anëtare të japin dritën jeshile për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Lidhur me të njëjtën çështje, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani tha se, megjithëse KE-ja 11 herë me radhë rekomandon fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe se, edhe përkundër faktit se procesi i zgjerimit bazohet në meritat individuale të secilit vend, përvoja tregon se kur shtetet lëvizin së bashku në proces, sinergjia që krijohet është më e madhe se shuma e lëvizjeve në mënyrë individuale të shteteve.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button