Prej sot s’ka më roaming midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor

Prej sot, 1 korrik, qytetarët nuk do të paguajnë për shfrytëzimin e shërbimeve të roamingut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, transmeton Portalb.mk.

4 prill 2019, ministrat resorë të ngarkuar me digjitalizimin nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin Digjital në Beograd, nënshkruan Marrëveshje rajonale për uljen e çmimeve të roamingut.

Si rezultat i këtyre aktiviteteve më 1 korrik 2019, ish-ministri i administratës dhe shoqërisë informatike Damjan Mançevski njoftoi se më 1 korrik 2021, në fuqi të plotë do të hyjë “Roaming si në shtëpi”, sipas shembullit të vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje ishte parakusht për fillimin e procesit për uljen e çmimeve të roamingut edhe me BE-në.

Qëllimi është, më së voni pas 1 korrikut 2021, të vijë në një ulje drastike dhe në fund heqjen e roamingut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Heqja në fillim e roamingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u njoftua nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

“Qytetarët do të kenë pak më shumë para në xhepat e tyre, ato që do të shpenzoheshin duke paguar ato fatura në rajon për shkak të tarifave të shkaktuara nga roamingu. E dyta, mendoj se është e rëndësishme të theksohet se jo vetëm që është rritur numri i njerëzve që përdorin internetin, por gjithashtu kemi kuptuar edhe gjatë pandemisë se është rritur sasia e kohës që njerëzit kalojnë në internet është, gjë që gjithashtu jep një farë peshe të caktuar” tha Bregu për Radion Evropa e Lirë.

Për të shënuar këtë datë historike, do të organizohet koncert në plazhin Oteshevë të Liqenit të Prespës.

Koncerti, i quajtur „All-Western Balkans Jam“, do të marrin pjesë grupe dhe DJ nga i gjithë rajoni.

“Ky është suksesi historik i Ballkanit Perëndimor, që erdhi si rezultat i negociatave gati tre vjeçare, të lehtësuara nga Këshilli për bashkpunim rajonal i Bashkimit Evropian, pas të cilave përfaqësuesit e gjashtë qeverive nënshkruan marrëveshje në prill 2019, ku u dakorduan që gradualisht të ulin çmimet e roamingut dhe përfundimisht t’i heqin ato duke filluar nga 1 korriku 2021. Kjo tashmë është kryer”, thonë nga Këshilli për bashkëpunim rajonal. 

Koncerti nën moton “Vetëm karikoni baterinë – roamingu është falas” fillon në orën 19:00, ndërsa mund të ndiqet edhe në YouTube. Në të do të interpretojnë SARS nga Serbia, Uzun Baba OG! nga Maqedonia e Veriut, Helem Nejse nga Bosnja dhe Hercegovina, DJ Sardi nga Shqipëria, Who See nga Mali i Zi dhe Uran B nga Kosova.

„All-Western Balkans Jam“ organizohet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal me mbështetjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Prej sot, çmimet për thirrje celulare, mesazhe dhe internet në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë bien në zero denarë, gjegjësisht qytetarët kur udhëtojnë në këto vende do të flasin dhe do të surfojnë me të njëjtat çmime si në shtëpi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button