fbpx

Partia Socialiste kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit Meta

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka iniciuar një kërkesë për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit “ka kryer veprime në kundërshtim me kushtetutën”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat tha se prej ditës së premte (30 prill) është institucionalizuar kërkesa e deputetëve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës për shkarkimin e presidentit Meta.

Duke folur në lidhje me kërkesën e deputetëve të partisë në pushtet, ai tha se “Kanë depozituar kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të presidentit të Republikës lidhur me vlerësimin e deputetëve kërkues se presidenti i Republikës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me kushtetutën e vendit”.

“Ka vazhduar në mënyrë të vazhdueshme të kryejë veprime që bien në kundërshtim me frymën e ligjit dhe të kushtetutës dhe në këtë këndvështrim Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet me vendim në ditët në vijim lidhur me këtë kërkesë”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se presidenti i vendit duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar. “Unë besoj që Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më datë 8 korrik që është data e fundit e mbledhjes së këtij kuvendi”, theksoi më tej Balla.

Ndër të tjera në kërkesë thuhet se “Ilir Meta në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik. Përkundrazi me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër maxhorancës në pushtet dhe popullit që atë e mbështet”.

Si do të zhvillohet procedura parlamentare?

Fillimisht kërkesa do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë. Më pas duhet të ngrihet komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar provat e paraqitura në kërkesë dhe në fund të procedurës parlamentare bëhet votimi në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Propozimi për shkarkimin e presidentit duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (Kuvendi i Shqipërisë sipas kushtetutës ka 140 deputetë, ndërsa aktualisht ka 122).

Më pas, vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Kjo është nisma e dytë që ndërmerr Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Meta. Në korrik të vitit 2020, Kuvendi nuk vendosi për shkarkimin e presidentit Meta, pas kërkesës së Partisë Socialiste, për kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se Meta u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button