SHGM, KEMM, IMM: Kriza e koronës i tregoi të gjitha virtytet dhe dobësitë e gazetarisë

Me rastin e 3 majit, Ditës botërore të lirisë së medias, Shoqata e gazetarëve në Maqedoni (SHGM) dhe Këshilli i etikës në mediat e Maqedonisë (KEMM) janë të prerë se në kushtet e krizës shëndetësore globale, më shumë se kurrë më parë u bë qartë rëndësia e pavarësisë dhe gazetarisë profesionale.

“Kriza e shkaktuar nga pandemia me kovid-19 i nxori në sipërfaqe të gjitha virtytet, por edhe dobësitë e gazetarisë, e cila në periudhën e kaluar po kalon ndryshime dhe tronditje serioze. Gazetaria profesionale kundrejt propagandës, sot është më shumë se kurrë një sfidë për të gjithë ne, të përpiqemi të ruajmë cilësinë e gazetarëve të cilët e kultivojnë mendimin e lirë si udhëzues, përmes pengesave me të cilat përballet bota dhe Maqedonia e Veriut. Gazetaria e përgjegjshme dhe profesionale në këtë situatë krize e dëshmoi si vendimtare në drejtim të informimit të qytetarëve”, thonë nga SHGM.

Prandaj, së bashku me Misionin e OSBE-së në Shkup, ata bëjnë thirrje për solidaritet dhe mbështetje, veçanërisht nga publiku, për gazetarët dhe punëtorët e medias të cilët gjatë vitit të kaluar janë përballur me sfida të mëdha shëndetësore, të sigurisë, financiare, por edhe etike, në përpjekjen për të informuar në mënyrë përkatëse dhe me kohë publikun për zhvillimet në lidhje me pandeminë kovid-19.

“Lufta kundër dezinformatave, që u treguan si veçanërisht ëe dëmshme në kohë të tilla sfiduese është e mundur vetëm me prodhimin e informacionit objektiv dhe të saktë dhe punë transparente të Qeverisë dhe institucioneve të tjera publike. Por nuk është vetëm pandemia pjesë e fotografisë për gazetarinë dhe mediat sot. Përparimi i ngadaltë i lirive të mediave në listat botërore që matin këto parametra tregon se nevojiten përpjekje shtesë nga i gjithë komuniteti në Maqedoninë Veriore, për përparim më të fortë drejt listës së vendeve në të cilat media janë plotësisht të lira. Gazetaria duhet patjetër të trajtohet si një e mirë publike dhe rrjedha e informacionit nuk duhet të kufizohet”, theksojnë nga SHGM.

Me këtë komunikatë u ndërlidh edhe Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM), ku  gjithashtu besojnë se pandemia edhe një herë i ka konfirmuar sfidat me të cilat përballen mediat në vend, duke filluar me sigurinë dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të gazetarëve dhe punëtorëve të medias. kushtet kufizuese të punës së redaksive.

“Gazetaria cilësore dhe gjithëpërfshirëse është mënyra e vetme për të kapërcyer ndarjet dhe për të promovuar vlerat demokratike dhe standardet profesionale gazetareske. Roli aktiv i mediave profesionale në luftën kundër dezinformatave dhe raportimit jo etik është thelbësor si në situatën aktuale me krizë në vend dhe në rrethana të rregullta”, thuhet në komunikatën e KEMM.

Këshilli për etikë në media pret që qeveria dhe institucionet të tregojnë përgjegjësi dhe angazhim serioz në mbështetjen e të drejtave dhe lirive të mediave, në mënyrë që të krijohet mjedis i favorshëm për mediat në të cilat ata do të veprojnë pa çfarëdo kufizime dhe pengesa.

“Çdo përpjekje për të ndërhyrë në mënyrë të izoluar në politikat dhe reformat e medias, në kundërshtim me përpjekjet e komunitetit profesional të medias, do ta kuptojmë si përpjekje për të kontrolluar dhe ndikuar dhe imponuar kushte kufizuese të punës në media. Përvojat e konfirmojnë se rreziku më i madh për demokracinë lind pikërisht nga media që kanë qenë dhe mbeten nën kontrollin e qendrave politike të pushtetit”, thonë nga KEMM.

Sipas tyre, është thelbësore në këtë proces të ndryshohet ligjërimi dhe qëndrimi i atyre politikanëve, krijuesve të opinionit publik dhe qendrave të pushtetit që mediat shpesh i paraqesin ose i trajtojnë si palë armiqësore, duke shmangur përgjegjësinë e tyre për sjellje transparente dhe të përgjegjshme ndaj publike. Prej tyre pritet që të mbrojnë median si pasuri dhe tipar i demokracisë, e jo si pengesë ose kërcënim për pikëpamjet dhe aktivitetet e tyre.

Në periudhën e kaluar statistika e KEMM e konfirmojnë praninë e rasteve të informimit joetik. Pothuajse 40 përqind e rasteve të raportuara gjatë vitit të kaluar kanë të bëjnë me raportimin e krizës së koronavirusit dhe është shqetësuese që në 67 përqind të numrit të përgjithshëm të ankesave, bëhet fjalë për informacion të pasaktë dhe të paverifikuar, kurse në pothuajse 20 përqind nuk bëhet asnjë dallim midis fakteve dhe mendimeve, lajmeve dhe komenteve.

Instituti i Maqedonisë për Media (IMM) përgëzoi të gjithë profesionistët e medias të cilët punuan me përkushtim këtë vit për të informuar qytetarët për të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik, veçanërisht në kontekstin e pandemisë aktuale.

“Viti i kaluar na ka treguar se shoqëria jonë ka nevojë për angazhim të shtuar dhe angazhim të të gjithë aktorëve relevantë në adresimin e një numri çështjesh aktuale me të cilat përballen mediat, gazetaria dhe profesionistët e medias, të cilët janë shtylla e kësaj veprimtarie. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të bëhen përpjekje serioze dhe të përcaktohen përparësitë për zhvillimin dhe përparimin afatgjatë në sferën e medias, përmes politikave jopartiake, transparente, gjithëpërfshirëse dhe moderne që marrin parasysh standardet dhe praktikat evropiane, por gjithashtu specifikat e tregut tonë mediatik. ”

Për shkak të kësaj, sipas IMM, është e nevojshme të vazhdohet me zbatimin e reformave të filluara në sektorin audiovizuel, për të forcuar rolin dhe pozicionin e shërbimit publik RTVM dhe për të krijuar kushte të drejta dhe konkurruese për zhvillimin e të gjitha subjekteve në sfera mediatike.

“Besojmë se për të krijuar sferë me zhvillim të lartë demokratik mund të kontribuojë shumë nga një audiencë e arsimuar dhe e informuar në media, e cila vlerëson në mënyrë kritike përmbajtjen dhe informacionin, mbi bazën e të cilave mund të bëjë zgjedhjen e duhur. Prandaj, IMM mbështet iniciativa për të promovuar shkrim-leximin mediatik te segmente të ndryshme të audiencës, të cilat duhet të zbatohen në më tepër sfera”, thonë nga IMM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button