SPIRITUALITETI DHE KRIZA: KONTEKSTI VENDOR (2)

Një sondazh i realizuar në prill të vitit të kaluar me 1127 qytetarë të RMV-së lidhur me ndikimin e Covid-19 në ndjesinë fetare të njerëzve tregon se 40.7% e qytetarëve janë të shprehur se feja do të fuqizohet në këtë kohë krize. 7.9% kanë thënë se do të dobësohet, 31 % se do të mbetet i njëjtë, kurse 1/5 (20.4 %) nuk kanë dhënë përgjigje ose nuk kanë ndonjë mendim për këtë çështje. (ИПИС, 2020b: 28)

Nga i njëjti hulumtim është konstatuar se besimtarët shqiptarë janë shprehur më optimistë lidhur me ardhmërinë e fesë në kohë pandemie. 57 % e shqiptarëve dhe 35.6% e maqedonasve ka pohuar se besimi fetar do të forcohet në kohë koronavirusi. Këto dy shifrat e fundit janë një pasqyrë reale e fetarisë në baza etnike në vendin tonë, duke pasur parasysh se të gjitha kërkimet vërtetojnë se fryma fetare te shqiptarët është më e fuqishme sesa te maqedonasit.

Ndërkohë në këtë kohë turbulencash shfaqet edhe problemi i organizmit të jetës fetare, si në planin individual ashtu edhe në atë kolektiv që menaxhohet nga organizatat apo institucionet religjioze.  Në Maqedoninë e Veriut besimtarët kanë qenë në huti se si duhet të organizojnë jetën e tyre fetare, ndërsa bashkësitë fetare janë treguar herë-herë të pandjeshme dhe rigjide lidhur me këtë rrezik global. Qasja e bashkësive fetare (KOM dhe BFI) është vlerësuar nga opinioni si joserioze dhe e papërgjegjshme ndaj ndjenjave fetare të qytetarëve besimtarë. Thirrja për respektim të festave dhe ritualeve fetare nga autoritetet fetare pa respektuar distancën e domosdoshme është treguar e dëmshme për shëndetin e qytetarëve. (Петковска, 2020: 150)

Mitropoliti Timotej, zëdhënës i KOM, i pyetur nga mediat nëse priftërinjtë do të përdorin lugën e njëjtë për t’i kunguar njerëzit qe përgjigjur me “po, pa dyshim”, duke shtuar se njerëzit që kanë drojë të mos vijnë, se nuk do të ndryhsojnë një traditë shekullore. (Bosilkoski, 2020) Nga ana tjetër, ish Reisi i BFI-së vuri veten “në rolin e mjekut, shpalli virusin korona të vdekur”. (Fokus, 24.05.2020).

Dhe gjendja e pandemisë ende nuk ka përfunduar. Në muajt mars dhe prill 2021 përjetuam valën e tretë të pandemisë gjithashtu me masa restriktive zyrtare.  Ndërkohë feja gjithnjë e më tepër po kalon në sferën  virtuale. Besimtarët myslimanë organizojnë ligjërata fetare nga distanca, ditore dhe të së premtes, madje është bërë temë debati çështja e imamit nga distanca apo e atij nga youtube. Sot përzgjedhja e përmbajtjes fetare mund të bëhet aty për aty, ligjërata mund të dëgjohet në çast, prijësi mund të kontaktohet përmes FB, Insta, Viber, Watsapp, mund t’i shtrohen pyetje, të bëhen komente, mund të kërkohen sqarime, të dëgjohet transmetimi autentik, të merret “përgjigjja e besueshme”. (Pajaziti, 2020) Janë organizuar edhe webinare lidhur me praktikimin e fesë në kohë të pandemisë, siç ishte rasti me Konrad Adenauer Stiftung dhe shefin e kabintetit të Kryepeshkopit të KOM (8 maj 2020), online panele, si ai i BFI-së me kryetarët e bashkësive islame të diasporës shqiptare (të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Danimarkës dhe Belgjikës) mbajtur më 28 prill të këtij viti e të tjera evente të kësaj natyre, ligjërata përmes Zoom-it në Ramazan, përmes kanaleve televizive (si Myftinia.tv, Tv Koha – Tetovë) ku institucionet fetare kumtojnë porosinë hyjnore deri te besimtarët.  Në këtë drejtim, në kohë Covid-19 aktive fetarisht kanë qenë edhe disa OJQ-, teologë individualë etj.

Një dimension tjetër pandemisë 2020 është edhe riformatimi apo forcimi i raporteve familjare (Pew, 2021: 32 %-shi nga gjithsej 14 vende të zhvilluara kanë pohuar fuqizim të lidhjeve brendafamiljare), gjegjësisht rigjetja e fetarisë familjare. Rrjedhim i kontekstit të ri kanë qenë bisedat më të shumta rreth fesë, lutje dhe rituale kolektive, siç vërehet nga teravitë që nga xhamia kanë kaluar në mjedise shtëpiake.  Segment tjetër i rëndësishëm që ka shënuar një hop në këtë gjendje është edhe humanitarizmi, ndihmat e shpërndara, riparimi apo ndërtimi i shtëpive për kategoritë vulnerabile, fondet e mbledhura online për raste të personave me sëmundje të rënda që duhej shëruar jashtë e  të tjera. Pra vërehet se njerëzit janë më dorëdhënës në kohërat kur shohin se vlera e konceptit të kapitalit relativizohet, kur ndodh fenomeni i “rutinizimit të vdekjes”.

Dhe për fund të japim ca të dhëna nga hulumtimi më i ri i realizuar në mars 2021, intervistë e  realizuar me 32 shkollarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Më shumë se 2/3-at e tyre kanë pohuar se koronavirusi ka ndikuar në besimin e tyre fetar, i kë bërë më religjiozë. Ja disa sekuenca nga rrëfimi i tyre: Ligjëruesi universitar (38 vjeç) është shprehur se besimi ka qenë një bazë e fortë për të kaluar çastet e vështira të karantinës. Sot ka  bindje edhe më të thellë te Zoti, shpresojmë te ndihma e Tij” (#2, historian). Një muzicient është përgjigjur si vijon “Jam më fetar në këtë fazë per shkak të humbjes se perosnave të afërt por edhe nga humbja e qetësisë të brendshme. Feja të sjell qetësi, optimizëm dhe mundesi për meditim dhe vetëreflektim që është shumë e nevojshme më këtë periudhe për të gjjtha familjet” (#3, 43 vjeç).  “Sigurisht që është përforcuar besimi te i Madhi Zot, shkenca na doli e pabesë” (#4, profesor i punës dhe politikave sociale, 66 vjeç). Një mikrobiolog, 24 vjeçar  pohon se “Covid19 nuk nënkupton diçka përtej madhështisë së Zotit, mahnitshmëria ndaj të cilit shfaqet thuajse në çdo mikro dhe makro situatë të Universit.” (#6)

Feja nënkupton kërkimi e një kuptimi më të lartë (higher sense) të jetës, një instancë që i vjen në ndihmë njeriut kur ballafaqohet me krizë dhe dilema, siç është kjo e Covid-19 që në bëri më të vetëdijshëm për fragjilitetin e ekzistencës sonë njerëzore. Nga të dhënat empirike të hulumtimeve të ndryshme të realizuara nga hulumtues të tjerë dhe nga ky ynikonstatojmë se vërtetohet hipoteza se njerëzit që përballen me fatkeqësi (calamity) frikë dhe sëmundje përjetojnë “përtëritje shpirtërore” (spiritual renewal) se njeriu sa më ngushtë të jetë aq më tepër i afrohet të shenjtës, Zotit apo besimit në përgjithësi. Me një fjalë “brezi i Covid-19” shfaq prirje më të fuqishme të devocionit dhe të religjiozitetit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button