Kosovë, Gjykata Speciale ka liruar përkohësisht Kadri Veselin nga qëndrimi në paraburgim

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë e njohur si Gjykata Speciale kanë liruar përkohësisht nga qëndrimi në paraburgim të akuzuarin për krime lufte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Kadri Veseli, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç ka bërë të ditur Gjykata Speciale në një përgjigje për AA, Veselit i është dhënë e drejta e vizitës në Kosovë për arsye familjare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Dhomat e Specializuara nuk kanë bërë të qartë kohën se sa do të qëndrojë Veseli në Kosovë.

Veseli së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Jakup Krasniqi e ish-deputetin Rexhep Selimi janë pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte.

Mbi ta rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button