fbpx

Mbështetja e të rinjve për punësim

Një nga sektorët e ekonomisë, i prekur më së shumti në rajon nga pandemia, është edhe turizmi, ku punësohen çdo vit një numër i madh të rinjsh, shumë prej të cilëve humbën vendet e punës gjatë periudhës së pandemisë, shkruan Zëri i Amerikës.

Po ndërkohë, në prag të hapjes së sezonit të ri turistik veror, Shqipëria dhe Mali Zi pritet të heqin kufizimet për të rigjallëruar këtë sektor të rëndësishëm për ekonomitë e tyre, por edhe punësimin e të rinjve. Një projekt ndërkufitar, “Rrugët e zhvillimit të karrires”, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga dy organizata vendase, sipas Muzafer Gjonit, drejtues në shkollën “Vllaznim-Bashkim”të Ulqinit, po synon të mbështesë të rinjtë në zonën ndërkufitare Shqipëri-Mali Zi për t’u aftësuar dhe punësuar në sektorin e turizmit.

“Ky projekt në fushën e turizmit, “Rrugët e zhvillimit të karrierës”, tenton që, përmes bashkëpunimit, të rrisë zhvillimin dhe, pse jo, nesër disa të rinj nga Ulqini do të vijnë të punojnë ndoshta në Velipojë apo në ndonjë hotel në Shkodër dhe, po ashtu, edhe të rinj nga Shkodra të vijnë të punojnë në Ulqin”, tha ai.

Pjesë e projektit janë të rinjtë e dy shkollave profesionale, shkollës “Bashkim- Vllaznim” në Ulqin dhe shkollës “Hamdi Bushati” në Shkodër. Nxenësja nga Ulqini, Arisa Dervishi, thotë se, pjesa më e madhe e të rinjve, punojnë gjatë sezonit turistik veror dhe se, projektit i mbështetur nga Bashkimi Europian, po i ndihmon të aftësohen dhe t’i përshtaten tregut të punës.

“Që në moshën 16 vjeçare kam qenë si punëtore nëpër dyqane të ndryshme në Ulqin e, po ashtu, edhe gjithë shoqëria ime vazhdimisht punojnë gjatë sezonit turistik veror. Edhe mendoj se ky projekt është një shans për ne që të njoftohemi sa më shumë përsa i përket tregtisë dhe turizmit, sepse ato janë degët kryesore të ekonomisë si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi”, tha ajo.

Për shkak të izolimit dhe masave kufizues për mospërhapjen e COVID-19, si Shqipëria ashtu edhe Mal Zi u përballën me humbje të mëdha në sektorin e turizmit, ku humben vendet e tyre të punës edhe mijëra të rinj e të reja. Drejtuesja e projektit, Mirela Sokoli, thotë se turizmi është një sektor që ka mundësi të ringrihet më shpejt se sektorët e tjerë, duke i dhënë mundësi të rinjve që të kapërcejnë një periudhë hutimi, ku u përfshinë gjatë pandemisë dhe të synojnë të aftësohen përmes trajnimeve dhe programeve të ndryshme, të mbështetura si nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga organizata të ndryshme.

“Ka një turizëm, qoftë në fundjava gjatë verës. Shkodranët shkojnë në Ulqin apo ulqinakët vijnë në Shkodër. Ne duam që të rinjtë të promovojnë në vendet fqinje turizmin malor, fushor, detar etj. edhe, gjithashtu, të shikojnë për mundësi ku ata mund të punësohen, si në Shkodër ashtu edhe në Ulqin. Është një ngacmim në këtë moment që, vertetë ne kemi kaluar apo po kalojmë një pandemi, por ne po bëjmë diçka që të ndikojmë pozitivisht dhe se bashkë ne mund t’ja dalim”, thotë ajo.

Vitet e fundit, me zhvillimin e sektorit të turizmit dhe nxitjen e lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit, Shkodra dhe Ulqini kanë zgjeruar lidhjet edhe në fushën e turizmit, duke synuar krijimin e një destinacioni të përbashkët turistik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button