ANALIZË: Beteja për të shpëtuar jetë dhe vendet e punës “e fryn” borxhin e shtetit – kujdes me financat publike!

Rimëkëmbja ekonomike post-kovid do të varet nga shpejtësia e vaksinimit – por deri atëherë, ekonomitë do të përballen me deficite të thella buxhetore dhe rritje të borxhit publik. Kjo është një nga pikat në Raportin e ri të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. Serbia, e cila është në krye për nga sasia e fondeve që përfunduan për të mbështetur sektorin privat, do të përballet me rritjen më të madhe të borxhit publik. Edhe ekonomistët në vend gjithashtu vërejnë se borxhi publik po rritet – por ku dhe sa do të varet nga disa faktorë, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

Lista e përparësive – për çka dhe sa do të shpenzohen dhe në çka do të investohet

Për tre muaj – ose në tremujorin e parë të vitit, u shpenzua pothuajse 20% e deficitit buxhetor të planifikuar për vitin, i cili për këtë vit është planifikuar të jetë 4,9% e BPV-së. Krahasuar me vitin e kaluar, deficiti në thesarin e shtetit është dukshëm më i ulët – përgjysmuar, por a do të “durojë” ky parashikim deri në fund të vitit? Kreditë ose huazimet që i bënë ekonomitë në vlugun e pandemisë sollën një “tornado fiskale” – boshllëqet e buxhetit u zgjeruan, të ardhurat e buxhetit “u shkrinë”. Rritja e shpenzimeve për të mbështetur ekonominë, siç pritej, rriti borxhin publik, thonë ekonomistët në vend.

“Si rezultat i pandemisë kovid-19, borxhi publik ka tejkaluar 60%BPV-së në vitin 2020. Shmangia e kësaj rritjeje ishte e pamundur duke pasur parasysh nevojën për rritje të shpenzimeve për t’u marrë me krizën dhe për të zbutur pasojat negative socio-ekonomike. Megjithatë, kjo rritje dhe niveli aktual i borxhit publik, ngushton ndjeshëm hapësirën fiskale në vitet e ardhshme. Mund të ndikojë veçanërisht në komponentin zhvillimor, duke kufizuar investimet thelbësore publike dhe dhënien e shërbimeve publike në një periudhë afatmesme”, thotë për Portalb.mk Bllagica Petreski, ekonomiste në Institutin “Finance Think”.

Banka Botërore në raportin e fundit, në të cilin i ka vënë nën “llupë” ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, konstaton se rreziqet e vitit të kaluar vazhdojnë edhe këtë vit – vendet do të duhet të marrin hua për të mbështetur kompanitë dhe qytetarët.

“Masat për mbrojtjen e jetëve dhe vendeve të punës kanë kosto të lartë fiskale dhe do të shkaktojnë rritje të borxhit publik. Qeveritë kanë përfshirë masa për të mbështetur ekonomitë familjare dhe bizneset përmes lehtësimeve tatimore, shtyrjeve, subvencioneve të pagave, linjave kreditore dhe ndihmë sociale për më të rrezikuarit. Për shembull, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore ofruan linja kredie të subvencionuara përmes bankave të tyre të zhvillimit, kurse Shqipëria përmes garancive të kredisë. Qeveria Serbe e publikoi paketën më të madhe të ndihmës për ekonominë dhe qytetarët, duke ndikuar drejtpërdrejtë në buxhet me 6,7%BPV-së dhe garanci për hua nga Banka kombëtare e zhvillimit, me vlerë 4,4%BPV-së”, thuhet në raport dhe theksohet se pikërisht kjo situatë ka rritur vrimat buxhetore.

“Deficitet fiskale do të rriten për të përballuar goditjen e shkaktuar nga KOVID-19, duke rritur nevojat për financim. “Në disa vende, deficitet pritet pothuajse të trefishohen”, thonë nga Banka Botërore.

Kemi hyrë në tremujorin e dytë ekonomik – të dhënat tregojnë se borxhi shtetëror tani është 5,5 miliardë euro ose 48.3% të BPV-së, të ardhurat e buxhetit krahasuar me ato të planifikuara në fund të Prillit u realizuan me gati 31%, ndërsa shpenzimet kapitale me gati 19% . Duke qenë se kemi ende po përballemi me krizë shëndetësore që ka ndikim të fortë negativ mbi ekonominë, në periudhën pas kovidit është e nevojshme të bëhet lista e prioriteteve për shpenzimet buxhetore, por edhe për investimet që duhet të jenë gjenerator i rritjes ekonomike”, vlerësojnë ekspertët.

“Konsolidimi fiskal në vitet e ardhshme është një nga sfidat. Por në një skenar post-pandemik, kur ekonomia është ende e brishtë dhe ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetje të qeverisë, politikat fiskale të shpejta dhe kufizuese nuk rekomandohen. Prandaj, ekziston nevoja për të bërë në mënyrë më të theksuar prioritetet e shpenzimeve përmes investimeve që do të përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe do të krijojnë vlerë më të lartë të shtuar, që do të mundësojë uljen e borxhit”, tha Petreski.

Nevoja për zgjedhjen e prioriteteve është theksuar edhe nga Banka Botërore.

“Për shkak të nivelit historikisht më të lartë të borxhit publik, rivendosja e qëndrueshmërisë fiskale ka prioritet të lartë posa rimëkëmbja të fillojë të japë rezultate. Prioritet do të duhet t’u jepet përparësi investimeve në arsim, digjitalizim dhe projekte të tjera të infrastrukturës, duke përfshirë iniciativa të qëndrueshme mjedisore, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm në varësinë më të ulët nga qymyri dhe lëndët djegëse të tjera fosile sapo vendet të dalin nga pandemia. – tha Masimiliano Paoluci, drejtor i Zyra së Bankës Botërore në Maqedoni.

Ndryshe, borxhi publik e tejkaloi kufirin psikologjik prej 60%, duke kërcyer në 61% të BPV-së në tremujorin e tretë e vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button