Stërvitjet e NATO-s

Presidenti i Maqedonisë së Veriut (MV) Stevo Pendarovski ka realizuar disa vizita të rëndësishme në Bruksel. Pas kthimit ka folur rreth ndryshimeve kufitare dhe pse Fuqitë e Mëdha duhet të garantojnë kufijtë në rast të shkëmbime territoriale në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij kufijtë e vendeve fqinjë duhet të mos preken dhe gjithashtu të garantohen nga Fuqitë e Mëdha. Sinjale pozitive nga Brukseli për Ballkanin dhe të ardhmen e rajonit kanë ardhur nga përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së J. Borreli dhe diplomatët tjerë të BE-së. Në anën tjetër, mijëra trupa amerikane dhe të shteteve anëtare të NATO-s kanë zbarkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake të Aleancës e quajtur “Defender-Europe 21”, stërvitja më e madhe që nga koha e Luftës së Ftohtë dhe fillimit aktual të rreshtimeve të reja në Evropë dhe në Ballkan.

NATO ka një histori të gjatë stërvitjesh të rëndësishme në kontinentin evropian. Në vitin1988, 125 mijë ushtarë të NATO-s u vendosën përtej Atlantikut brenda dhjetë ditësh nën misionin e quajtur “Refroger”. Aleanca ka njoftuar se deri në qershor të këtij viti, mbi 30 mijë trupa të 26 shteteve anëtare të NATO-s do të zhvillojnë ndërveprimin në operacionet e mbrojtjes së njëkohshme në 30 zona stërvitore në 14 shtete. Një vendosje kaq e madhe ushtarake të forcave amerikane tregon se “Defender-Europe 21” po demonstron qëndrueshmërinë e lidhjes Trans-Atlantike dhe duke nxitur shtetet aleate të NATO-s për të rigjeneruar njohuritë institucionale dhe forcuar kapacitetet logjistike.

Gjatë gjithë historisë, Aleanca i ka kushtuar vëmendje gatishmërisë civile e cila është një kërkesë e përcaktuar qartë në nenin 3 të Traktatit themelues të NATO-s. Në përgjigje të mjedisit të ndërlikuar gjeopolitik, evolucionit të shpejtë të sistemit të sigurisë dhe sfidave të reja që vijnë nga kufijtë lindorë, zyrtarët e lartë thonë se është përgjegjësi kombëtare për të përforcuar kapacitetet stërvitore të shteteve anëtare të NATO-s.

Për të rritur rezistencën, shtetet anëtare të NATO-s duhet në vazhdimësi të punojnë për të siguruar shërbimet kritike qeveritare duke përfshirë aftësinë për të marrë vendime, komunikuar dhe zbatuar ato në raste krizash. Më rëndësi është që shtetet të sigurojnë rrugë tjera në një skenarë konflikti duke përfshirë diversifikimin e rrugëve të importit, furnizimeve dhe burimeve të energjisë.

Furnizimi me ushqim dhe ujë në të gjitha rastet duhet të jetë detyra kryesore e çdo shteti anëtarë i NATO-s. Gjatë kohës së pandemisë në vitin 2020, në shtetet kapitaliste u vërtetua se mungesa e zinxhirit ushqimorë hynë në sferën kritike e cila duhet vazhdimisht përmirësuar. Të njëjtën dukuri e hasëm në shtetet në zhvillim. Kur jemi tek krizat që imponohen nga aktorët e jashtëm, duhet përmendur se përballja e vendeve anëtare të Aleancës me protesta dhe dhunë të brendshme e sidomos në shoqëritë e përziera, paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sistemin e sigurisë së Aleancës dhe shteteve anëtare. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA mbante mbi 200 mijë trupa ushtarake në Evropën Perëndimore të përqendruara kryesisht në Gjermaninë Perëndimore për të përballuar atëherë Bashkimin Sovjetik (BRSS). Tre dekada pas, gjërat kanë ndryshuar, ku përveç stërvitjeve tradicionale, ushtritë e Fuqive të Mëdha kanë nevojë edhe për zbatimin e doktrinave të aleancave në terren. Stërvitjet e fundit kanë për qëllim që të testojë kapacitetet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s nga kërcënimet e së ardhmes. Aktualisht tre zona evropiane shihen si më të rrezikuara nga Rusia. E para, Baltiku, shtetet që kufizohen me Detin e Zi dhe Ballkani me Adriatikun si pikë synimi i politikës së jashtme të Rusisë për dalje në ujërat e ngrohta të Mesdheut. Në kuadër të stërvitjeve të fundit në MV, në Krivollak, forcat e armatosura të SHBA-së dhe të MV-së do të zhvillojnë stërvitjen e quajtur “Decisive Strike”. Përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve për të mbajtur Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së, pandemia i ka zhvendosur shtetet rajonit pothuajse më afër sferës ruse dhe interesave ekonomike të fuqisë së butë kineze. Deri në rikonfigurimin e fundit të raporteve dhe marrjes së formës së re, Ballkani do të vazhdojë të mbetet një “tenxhere” e nxehtë” dhe e stërvitjeve ushtarake për tu njohur me sfidat e dekadës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button