Site icon PORTALB

Briken Calja, sportisti më i mirë shqiptar në peshëngritje: gjithçka është e arritshme

Briken Calja

Briken Calja

Për tre vjet radhazi shpallet Kampion Evrope në peshëngritje – Briken Calja. Brikeni vjen nga një qytetëzë e  vogël në afërsi të Elbasanit, nga Shtremeni. Të qenurit Kampion Evrope nuk është e vetmja arritje për Brikenin. Ai deri më tani ka fituar 35 medalje ndërkombëtare, Kampion Kombëtar për 16 vjet radhazi dhe fitues i 15 medaljeve në Kampionatet Evropiane. Me të gjitha këto medalje, lirisht mund të themi se Brikeni njihet si sportisti shqiptar më i mirë, shkruan Portalb.

“Gjithçka nisi në moshën 11-vjeçare. Ishte xhaxhai im që më futi për herë të parë në këtë sport. Në atë moshë akoma nuk e kisha vendosur se me çka do merresha dhe ishte ajo pjesa  e kileve që mua më tërhoqi që të merresha me këtë sport profesionalisht. Në vitin 2004 u bëra Kampion Kombëtar dhe kjo ishte nisma ime për ta vazhduar dhe të arrij me këtë sport deri këtu ku jam sot.” tha Calja.

Çdo sport ka rreziqet e veta, ashtu si edhe ngritja e peshës. Por, kur ti i përkushtohesh një sporti edhe rreziku mënjanohet. Për t’i arritur këto rezultate, Brikeni ushtron katër ditë në javë nga dy herë në ditë dhe dy ditët e tjera nga një herë.

Mesazhi që Brikeni përcolli për të gjithë sportistët e rinj është:

“Unë i mbështes të rinjtë, sepse ata janë e ardhmja. Pa diskutim se për të arritur rezultate dhe të arrish këtu ku jam unë nuk është e pamundur. Gjithçka është e arritshme. Por, vullneti dhe puna është ajo që çon drejt suksesit dhe asgjë tjetër!” tha Briken Calja.

Synimi më i madh i Briken Caljës janë Lojërat Olimpike dhe e mira është se ai është shumë afër rezultatit. Gjatë palestrës, ka arritur ta thejë rekordin! Gjithçka që na ngelet është që të ndjekim dhe të mbështesim Brikenin në garat e ardhshme.

 

Exit mobile version