RMV, javë e gjatë e punës, produktivitet i ulët dhe paga të ulëta

Punëtorët në vend punojnë më së gjati dhe marrin ndër pagat më të ulëta, por nuk mund të mburren me produktivitet. Për të rritur produktivitetin, që do të rezultonte me paga më të larta nevojiten ndryshime në arsim, investime në teknologji dhe respektim i të drejtave të punëtorëve, shkruan REL.

Punëtorët në Maqedoni renditen në krye të tabelës, në Evropë, për javën më të gjatë të punës, por janë ndër ata që marrin pagën më të ulët mesatare. Sipas Entit statistikor Evropian “Eurostat”, koha mesatare e punës e punëtorëve në vend është 39,6 orë pune në javë, duke e bërë vendin të katërtin në Evropë për sa i përket javës së punës.

Para Maqedonisë janë Greqia, Serbia e në vend të parë është Mali i Zi me 44,5 orë në javë. Orar më të shkurtër se punëtorët në Maqedoni, kanë punëtorët në Gjermani, ku java mesatare e punës është 34,2 orë, në Itali 35,6 dhe në Francë ku java e punës zgjat 36,3 orë.

Paga mesatare në vend është 27.948 denarë ose rreth 450 euro. Të dhënat tregojnë se në ato vende ku java e punës zgjat më pak, paga mesatare është tre deri në gjashtë herë më e lartë se ajo në Maqedoni. Në Gjermani paga mesatare është 2.400 euro, në Francë 2.000 euro, e në Itali 1.600 euro.

Ne njerëzve u kërkojmë punë, jo për punës – njerëz

Për mënyrën e rritjes së produktivitetit, e kështu edhe paga më të larta, biznesmeni Menderes Kuçi thotë se duhet investuar në procesin arsimor të punëtorëve të ardhshëm dhe në teknologjinë e punës.

“Ne si komunitet i biznesit ka kohë që flasim për arsimin, gjegjësisht që përveç pjesës teorike duhet të përfshihet edhe pjesa praktike. Për të ndryshuar sistemin rrënjësisht, sepse është i padobishëm për këtë shoqëri dhe e pengon sistemin, e kjo pastaj pasqyrohet edhe si pakënaqësi e punonjësve, për shkak se nuk janë efektivë jo vetëm në sektorin privat, por edhe në atë shtetëror. “Nga ana tjetër, shërbimet dhe prodhimtaria nuk janë në nivelin e pritur nga punëdhënësi”, thotë Kuçi.

Ai shton se duhet të ndryshojë mënyra e punësimit.

“Gjithmonë jemi përpjekur që njerëzve t’u gjejmë punë, jo punës njerëz. Kjo manifestohet në intervenime gjatë punësimit, ku nuk është shumë e rëndësishme se cilat janë referencat që një punonjës të punësohet në një vend përkatës”, tha Kuçi.

Orët shtesë paguhen rrallë

Sindikatat thonë se në vend java e punës zgjat më shumë se ato 40 orë, por që punohet edhe në “të zezë”, kurse orët shtesë paguhen rrallë.

Kryetari i Konfederatës së sindikatave të lira Bllagoja Rallpovski thotë se mospagimi i orëve shtesë mund të tejkalohet vetëm nëse reagojnë institucionet.

“Nëse qeveria dëshiron të heq dorë nga inspektoratet, për t’i çliruar ata nga presioni politik, atëherë inspektorët mund të punojnë lirshëm, të shkojnë në terren dhe të zbatojnë lirisht ligjin, atëherë veprimet e tilla do të jenë gjithnjë e më pak. Por për sa kohë që qeveria dhe politika vendosin duart mbi institucionet për hir të kontrollit dhe interesave të tyre, deri atëherë do të vazhdojnë veprimet e tilla kundër punëtorit”, tha ai.

Sipas Eurostat, pandemia ka ndikuar në rritje të orëve të punës. Për vite, gjegjësisht që nga viti 2006 kur vendi u rendit për herë të parë, Maqedonia është ndër vendet ku java e punës zgjat më së shumti. Në vitin 2006, java e punës arriti në 44 orë, e pastaj filloi të bjerë. Në fillim të vitit të kaluar, para pandemisë, janë punuar rreth 38 orë në javë, kurse në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020, java e punës u bë 39,8 orë. Dhe pandemia ka prekur aspekte të tjera të të drejtave të punëtorëve.

Po punohet në Ligj të ri për marrëdhënie të punës

Qeveria thotë se nevojat dhe kërkesat e punëtorëve janë prioriteti i tyre kryesor. Ministria e punës, në bashkëpunim me sindikatat, punëdhënësit dhe ekspertët, po punon në Ligj të ri për marrëdhëniet e Punës.

Ligji aktual është prej para 16 vjetësh dhe është ndryshuar më shumë se 20 herë. Ministrja e punës dhe politikës sociale Jagoda Shahpaska thotë se ligji aktual nuk korrespondon me zhvillimin teknologjik, me nevojat e punëtorëve dhe punëdhënësve.

“Respektimi i të drejtave të punëtorëve do të garantohet nga dispozitat penale që ne do të parashikojmë, si dhe kapacitetet e forcuara të shërbimeve të inspektimit që do të kryejnë kontrolle të intensifikuara”, tha ministrja Shahpaska.

Të drejtat e punëtorëve në kohë të pandemisë

Në fillim të pandemisë, me një vendim të Qeverisë, punëtorët që do të infektoheshin me kovid dhe ishin në pushim mjekësor merrnin pagë të plotë, disa muaj më vonë masa u shfuqizua dhe nëse dikush infektohet, paga e tyre shkurtohet për shkak të pushimit mjekësor.

Lidhja e sindikatave (LSM) kërkon që kovid-19 të njihet si një sëmundje profesionale dhe që punonjësit që mungojnë në punë për shkak të koronavirusit të marrin 100 përqind të pagave bazë.

Për shkak të masave kufizuese, shumë sektorë u mbyllën, disa janë akoma të ndaluar dhe shumë punëtorë humbën punën. Të dhënat e Agjencisë për punësim tregojnë se nga marsi i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti ka 37 mijë njerëz më shumë që kërkojnë punë, por që vetëm rreth 18 mijë punëtorë humbën punën si pasojë e drejtpërdrejtë nga kriza e koronës. Për shkak të vonesës së paketës së pestë të ndihmës ekonomike, mijëra punëtorë mbetën pa pagesë për dy muaj, kurse vendet e punës për shumë janë të pasigurta, sepse deri para disa ditësh për shkak të kufizimeve restorantet u mbyllën, ka akoma ndalime për organizimin e dasmave, koncerteve dhe ngjarje të tjera objektet dhe palestrat janë të mbyllura, industria e tekstilit është në krizë. Mijëra punëdhënës, nga ana tjetër, abuzuan me ndihmën shtetërore dhe nuk paguanin paga tregojnë të dhënat e DHP-së.

Një vit katastrofik për të drejtat e punëtorëve

Sipas raportit vjetor të Shoqatës për siguri dhe shëndet në punë, në vitin 2020, 25 punëtorë vdiqën në punë, kryesisht në bujqësi dhe ndërtimtari. Përveç këtij numri, duhet të shtohen 30 punonjës shëndetësorë të cilët vdiqën, sepse vetëm për punonjësit shëndetësorë kovid-19 njihet si një sëmundje profesionale.

Në vitin 2020, në LSM janë raportuar 30 raste të mobingut, 10 në sektorin publik dhe 20 në sektorin privat, që është një rritje krahasuar me vitet e mëparshme, kur kishte vetëm nga disa raste.

Vitin e kaluar, u regjistrua një numër rekord i raporteve të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në Inspektoratin shtetëror të punës. Rreth 6.000 ankesa janë bërë që nga marsi, kur filloi pandemia, deri në fund të vitit 2020. Nga janari deri në mars të këtij viti, Inspektorati shtetëror i punës ka realizuar 3.738 inspektime në bazë të ankesave nga qytetarët.

Lidhja e sindikatave ka pranuar 80 mijë ankesa nga punëtorët se nuk u ishin paguar paga ose shtesa, ankesa për pushime nga puna, transformim të kontratave të punës, paga më të ulëta.

Në vitin 2020, te Avokati i Popullit janë paraqitën 258 ankesa për shkelje të të drejtave të punës, ose 24 ankesa më pak se një vit më parë.

Në fushën e të drejtave të punës, aktual është debati për të dielën si ditë jo pune. Qeveria premtoi në nëntor të vitit të kaluar se e diela do të jetë ditë jo-pune dhe se kjo do të fillojë në shtator të këtij viti, por pas debateve se cilët sektorë do të mbulonin dhe vërejtjeve të shumta, po shqyrtohet mundësia e shtyrjes së zbatimit të ndryshimeve ligjore në 1 janar të vitit të ardhshëm. Projekt-ligji pritet të hyjë së shpejti në procedurën parlamentare.

Shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe pakënaqësia me masat qeveritare i kanë nxjerrë punëtorët në rrugë. Protestuan gastronomët, punëtorët e turizmit, punëtorët e industrisë për organizim të ngjarjeve, muzikantët, transportuesit, fermerët, kontabilistët, punëtoret në pushim të lehonisë, Konfederata e sindikatave të lira dhe e porositën qeverinë – Mjaft!, Për 1 maj Konfederata e sindikatave paralajmëroi marsh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button