Ndryshimi i kufijve në Ballkan është i rrezikshëm, vlerësoi zëdhënësi i Merkelit

Pas ministrit Maas, edhe zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel, është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, raporton KlanKosova. Zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert, u shpreh të premten, 30.04.21. në konferencën e rregullt të zëdhënësve të qeverisë gjermane kundër ndryshimit të kufijve përgjatë linjave etnike në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nga Deutsche Welle se a ka përcaktuar qeveria gjermane vija të kuqe që nuk duhen të shkelen në rast të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi,Seibert tha:

“Ju lutemi kuptoni që ne zakonisht nuk komentojmë dokumente jozyrtarë por sa u përket spekulimeve që qarkullojnë aktualisht në media për ndryshimin të kufijve në Ballkanin Perëndimor përgjatë vijave etnike, nga pozita e Qeverisë Federale unë mund t’ju them se ne e konsiderojmë shumë të rrezikshme”.

“Ndryshime të tilla kufijsh mund të rrisin paqëndrueshmërinë e rajonit, të krijojnë tensione të reja dhe deri në rikthimin e konflikteve të së kaluarës. Si qeveri, ne vazhdojmë të promovojmë rrugën e integrimit evropian e transatlantik të vendeve në rajon, bazuar në demokraci, në shtetin e së drejtës dhe në multietnicitet”, tha Seibert më tej dhe shtoi: “I inkurajojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që të vijojnë agjendën e reformave e të përqendrohen sidomos në drejtësi dhe shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Edhe zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme, Christian Burger, kujtoi me këtë rast se edhe ministri i jashtëm Heiko Maas (SPD), gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Prishtinë e Beograd, e hodhi poshtë në mënyrë kategorike idenë e ndryshimit të kufijve.

Në përgjigjen e tyre, zëdhënësit iu shmangën çështjes së autonomisë së serbëve në Veri të Kosovës. Qarqe qeveritare i thanë DW-së se Gjermania është e mendimit se si bazë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejnë marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button