Edhe pse në terren nuk punohet, Arifi e bindur se “Blagoja Toska” do të hapet për pesë muaj

Përkundër faktit se pjesës më të madhe të banorëve, shtëpitë e të cilëve do të rrënohen për të hapur bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë janë shpaguar, gjegjësisht ju është paguar prona, asnjë shtëpi deri tani nuk është rrëzuar dhe në këtë bulevard nuk ka mjete punuese. Kryetarja Arifi dje u shpreh optimiste dhe potencoi se ai bulevard “gjithsesi do të hapet” brenda mandatit të saj, që është edhe pesë muaj, komisioni për këtë bulevard vazhdon të mos jep rezultate dhe të jetë pjesërisht funksional, shkruan Portalb.mk.

Për gati tetë vite në vetëqeverisje lokale, autoritetet komunale nuk kanë arritur të rrënojnë asnjë shtëpi në bulevardin “Blagoja Toska”, edhe pse kjo e fundit premtohet nga viti 2013 ndërkaq janë harxhuar gjysmë milion euro për shpagimin e pronarëve të shtëpive.

Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Kryetarja Arifi dje në një konferencë për shtyp u shpreh e bindur se bulevardi “Blagoja Toska” do të hapet brenda pesë muajve, ajo shtoi se shumë shpejt do të dilet në terren për të hapur bulevardin.

“Gjithsesi që do hapet brenda këtij mandati. Ne edhe pagesat prej 27 milion denarëve i kemi realizuar, kemi një pjesë simbolike në krahasim me këtë prej 27 milionëve e cila është në fund të procedurës. Po ashtu i kemi siguruar mjetet për vazhdimin e atij bulevardi, shpejt do të dalim me punë edhe atje” tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Problemi qëndron vetëm te një objekt, dy familjarë assesi nuk pajtohen mes vete

Sipas informacioneve të cilat i ka siguruar Portalb.mk jozyrtarisht, të gjithë 17 palët, shtëpitë e të cilëve do të rrënohen për hapjen e bulevardit janë pajtuar përveç njërës palë, ku dy vëllezër nuk mund të merren vesh mes vete.

Mësojmë se të njëjtit disa herë janë konfrontuar ku është dashur të ndërhyjnë edhe nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) për të qetësuar situatën.

Megjithatë, edhe pse gati të gjithë pronarëve të shtëpive tjera përreth u janë paguar mjetet financiare dhe është nënshkruar marrëveshja, deri tani nuk ka asnjë lëvizje drejt rrënimit të shtëpive të tyre, gjegjësisht për hapjen e këtij bulevardi.

“Komisioni për Blagoja Toskën” mbajti vetëm një takim, vazhdon të mos jetë efektiv

Për të “zbutur gjakrat” e banorëve të pakënaqur me dëmshpërblimin apo me rrënimin e shtëpive të tyre, komuna e Tetovës me datë 28 janar formoi komisionin për bulevardin “Blagoja Toska”.

Deri tani, edhe pse ky komision ka më shumë se tre muaj nga kur është themeluar, vetëm një herë ka qenë në teren për të biseduar me banorët e lagjes dhe atëherë sipas informacioneve të Portalb-it, nuk ka rezultuar me ndonjë efekt.

Njoftojmë se në qoftë se ky komision nuk funksionalizohet dhe arrin të krijojë një marrëveshje mes palëve të pakënaqura të lartpërmendura, procedura e tyre rrezikon të shkoje deri në instancat gjyqësore dhe kështu rrezikon zvarritja e procesit së hapjes të këtij bulevardi.

Kush janë anëtarët e “Komisionit për bulevardin Bllagoja Toska”?

Portalb.mk siguroi vendimin e themelimit të këtij komisioni, në të cilin theksohen të gjithë emrat e anëtarëve të cilët duhet të dalin në teren dhe të zgjidhin kontestet konkrete për hapjen e këtij bulevardi, në këtë vendim gjithashtu potencohen edhe detyrimet e komisionit.

Bëhet fjalë për gjithsej 7 anëtarë, edhe atë: Bekim Memeti (BDI), Goran Jovanovski (VMRO-DPMNE), Besar Durmishi (Lëvizja BESA), Arif Selami (ASh), Adnan Bilalli (PDSH), Zhive Aleksovski (LSDM), Minire Ademi (BDI).

Dokumenti për themelimin e Komisionit për bulevardin "Blagoja Toska".
Dokumenti për themelimin e Komisionit për bulevardin “Blagoja Toska”.

Qeveria e RMV-së, komunës së Tetovës i ka ndarë më shumë se 30 milionë denarë për këtë bulevard

Fillimisht, me 26 nëntor të këtij viti, Qeveria e RMV-së i ndau komunës së Tetovës 26,5 milionë denarë për rekonstruimin e bulevardit “Blagoja Toska”.

Atëherë, nga komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se mjetet do t’i shfrytëzojnë për shpronësimin e objekteve të cilat pengojnë hapjen e këtij bulevardi.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milionë e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rreth 1 muaj më vonë, me datë 27 dhjetor nga Qeveria e RMV-së sërish ndau mjete për bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë, kësaj radhe rreth 1 milion denarë, por këto mjete do të shfrytëzohen edhe për disa projekte tjera të vogla.

Hapja e këtij bulevardi premtohet nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nga mandati i parë i kësaj të fundit, edhe atë nga viti 2013 ndërkaq ky premtim ende nuk është realizuar. Portalb.mk disa muaj më herët përgatiti “maratonën” e premtimeve shtatëvjeçare të Teuta Arifit për këtë bulevard.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës, por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button