Këngëtarja nga Gjilani, Ilire Ismajli pjesëmarrëse në Turkvision të Turqisë (VIDEO)

Që në moshë të re filloi karrierën e saj si këngëtare, ndërsa tashmë ka arritur të merr pjesë edhe nëpër gara të ndryshme botërore. Kështu, muaj më parë mori pjesë në konkursin muzikor Turkvision të Turqisë. Ajo është Ilire Ismajli e cila ka fituar zemrat e publikut me zërin e saj të veçantë. Para disa ditësh publikoi një “cover” të sajin që siç thotë ajo ka marrë shumë reagime pozitive nga njerëzit dhe është pëlqyer shumë. Ndërsa, së shpejti do të vijë diçka e re nga ajo, theksoi në intervistë për Portalb.

Ilire Ismajli

Si ka filluar karriera jote si këngëtare?

Fillimisht përshëndetje për të gjithë juve. Atëherë karriera ime si këngëtare ka filluar që në moshë të re, të vogël, në moshën 7-8 vjeçare , ku edhe atë kohë jam regjistruar në shkollë të muzikës në Gjilan, ku aktualisht edhe jetoj. Kënga ime e parë autoriale ka qenë një këngë për fëmijë. Kënga “Një lutje” e kompozuar nga Isa Jakupi të cilën e kam kënduar me motrën time.

 

 

Ilire Ismajli

Disa muaj më parë more pjesë në një garë online të Turqisë, çfarë mund të thuash për këtë?


Po është e vërtetë disa muaj më parë kam marrë pjesë në “Turkvision” të Turqisë. Garë kjo e realizuar online për shkak të pandemisë të cilën jemi duke e kaluar e gjithë bota, ka qenë një eksperiencë mund të them e veçantë dhe shumë interesante për shkak që nuk më ka rastis të mbaj një garë online. Ka qenë diçka e veçantë për mua dhe që do ta mbajë gjithmonë në kujtimet e mia.

Sa ka ndikuar periudha e pandemisë në karrierën tënde pas anulimeve të shumë mbrëmjeve festive?

Pyetje interesante kjo. Besoj jo vetëm te unë po ka ndikuar edhe te shumë këngëtarë të tjerë, shumë artistë të tjerë të cilët veç janë në këtë fushë. Pandemia mund të them se na ka krijuar një gjendje emocionale shumë të keqe mirëpo, unë e kam shfrytëzuar për të mirë për shkak se kam punuar gjatë gjithë kohës në studio me shokun tim Ebrar Mazhar të cilin e falënderoj shumë, e ka një studio të mrekullueshme.

 

Ilire Ismajli

Para disa ditësh ke publikuar një “cover” të këngës “Për ty jam e vdekur”, çfarë reagimesh ka pasur nga njerëzit për të?

Kam marrë shumë reagime të mira edhe e kanë pëlqyer shumë, është një këngë mjaft e vjetër e kënduar nga Genta por, që është një këngë të cilën unë e kam dëgjuar shumë shpesh edhe e kam pëlqyer dhe duke menduar pse mos ta bëjë këtë këngë cover. Kënga është pëlqyer mjaftueshëm , shpresoj që sa më shumë të dëgjohet.

 

Ilire Ismajli

A planifikon të publikosh ndonjë cover tjetër apo këngë personale?


Shumë shpejtë do të vijë diçka nga unë por, a do të jetë cover apo diçka personale mbetet të shihet në vazhdim.

Çfarë mesazhi do i jepje rinisë?


Krejt ajo që kisha dashur me thënë për të gjithë moshatarët e mi, për rininë është që asnjëherë mos u ndalni, gjithmonë vraponi pas ëndrrave të juaja sepse një ditë do të realizohen patjetër. Mirëpo, flini duke ëndërruar, zgjohuni duke vepruar.

Ndryshe, Ilirja ka marrë pjesë edhe në festivale të tjera muzikore si “Gjeniu i Vogël” në vitin 2004 dhe “Flaka e Janarit 2016”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button