Abazi nga ASH: Hajni Jahiu t’ia kthejë BE-së 1.2 milion euro, jo qytetarët e varfër

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një konferencë për shtyp ka reaguar në lidhje me rastin e ish sekretarit shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, për të cilin shteti ynë duhet t’i kthejë 1.2 milionë euro Bashkimit Evropian nga Fondet IPA, pasi që ai mori ryshfet prej 38.000 eurove. Sipas koalicionit ASH – Alternativa, Jahiu duhet që t’ia kthejë paratë BE-së dhe jo qytetarët e varfër, njofton Portalb.mk.

“Hajnia dhe korrupsioni i funskionarëve të BDI-së tashmë i njohur edhe në Bashkimin Evropian. Rasti “Jahi Jahiu”, ish sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, dhe funksionar i BDI-së, para dy viteve u arrestua për mitmarrje prej 38.000 eurove dhe më pas u la i lirë në rrethana të dyshimta. Arrestimi kishte të bëjë me kurdisje të tenderit për projekte të financuara me taksat e qytetarëve nga fondet e Bashkimit Evropian, që njihen si IPA FONDE. Përveç që bën skandal, pas hetimeve të përfunduara, sipas ligjeve të BE-së, shteti ynë duhet t’i kthejë të gjitha paratë aq sa ishte edhe granti i ndarë në vlerë prej 1.2 milion euro. Granti për tenderin në fjalë duhet kthyer dhe pasojat për këtë do t’i paguajnë qytetarët. Kjo i bie që për një hajn të BDI-së, i quajtur Jahi Jahiu, i cili ka marrë ryshfet prej 38.000 euro në një tender evropian, qytetarët tani duhet t’ia kthejnë BE-së 1.2 milion eurot e kontratës korruptive. Ne si Aleancë për Shqiptarët dhe Alternativa apelojmë deri tek organet e drejtësisë që të gjykohet rasti dhe të dënohet personi në fjalë, kurse fatura duhet t’i shkojë hajnit dhe partisë së tij, e jo të dënohen qytetarët më të varfër të Evropës”, tha Bujare Abazi, nga koalicioni opozitar ASH – Alternativa.

Ndryshe, hetimi kundër Jahi Jahiut, ish sekretari shtetëror në ministrinë e shoqërisë informatike dhe administratës, i dyshuar për marrjen e ryshfetit nga një kompani italiane, të cilës i ka dhënë informacione konfidenciale për të fituar një tender, ka përfunduar. Ky prokurim publik u financua nga IPA fondet e BE-së.

Hetimi drejtohet nga prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion Maja Konevska.

Vlera e tenderit është një milion e dyqind mijë euro. Sipas rregullores së Bashkimit Evropian, vendi që i shfrytëzon mjetet nga këto fonde, nëse zbulohet abuzim, duhet të kthejë të gjitha fondet, deri euron e fundit, aq sa ka qenë granti.

Shteti, pastaj, duhet t’i kërkojë këto fonde nga të dënuarit, natyrisht nëse gjykata i dënon ata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button