Pas dhe para zgjedhjeve në Bullgari: më shumë realizëm dhe vigjilencë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Tashmë është e sigurt se zgjedhjet parlamentare të marsit në Bullgari nuk do të përfundojnë me qeveri politike. Në parlamentin e ri të fragmentuar, pozicionet e GERB, partia në pushtet e kryeministrit Borisov (megjithëse ende e para) dhe partia opozitare Partia socialiste bullgare (PSB) e cila u dobësua ndjeshëm, duke rënë në vendin e tretë. Partia e re anti-establishmentit ekzistues “Ka popull të tillë” befasoi duke u renditur e dyta, ndërsa në parlament hyri edhe një parti me profil të ngjashëm “Drejtohu, mafia jashtë”. Përveç tyre, siç pritej në parlament është edhe Partia demokratike (e turqve), por edhe partia e re centriste Bullgaria demokratike si bashkim i partive të deritanishme demokratike, liberale dhe të gjelbër. Ndarja e numrit të deputetëve është e tillë që jo vetëm nuk mundëson formim të qeverisë, por edhe dëshmon copëzim të fortë politik, kurse sipas disa analistëve – paqëndrueshmëri politike afatgjate. Votuesit bullgarë dërguan mesazh se duan ndryshim, por nuk sinjalizuan se çfarë ndryshime dhe kush t’i udhëheqë ato.

Presidenti bullgar Radev njoftoi përpjekjen e fundit për të formuar një qeveri – duke ia dorëzuar mandatin partisë e cila u rendit e treta PSB, pasi GERB dhe “Ka popull të tillë” nuk ia dolën ta bëjnë këtë. Pothuajse askush nuk shpreson që përpjekja e tretë do të jetë e suksesshme dhe ka të ngjarë që mandati të kthehet. Pritja reale është që Presidenti Radev, në përputhje me Kushtetutën e  Bullgarisë, të caktojë qeveri teknike, do të shpërndajë parlamentin dhe do të caktojë zgjedhje të reja parlamentare – brenda dy muajsh. Kjo do të nënkuptojë zgjedhje parlamentare në korrik. Fushata politike padyshim që do të vazhdojë, megjithëse çështjet e brendshme pritet të dalin në pah. Zgjedhjet presidenciale në Bullgari po vijnë në tetor-nëntor dhe presidenti aktual Rumen Radev, i cili është mjaft i zëshëm në bllokimin e hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut, tashmë ka njoftuar kandidaturën e tij për mandat tjetër presidencial.

Me këtë zhvillim, teza që pikëpamjet radikale bullgare për pranimin e Maqedonisë në BE janë kryesisht rezultat i fushatës politike zgjedhore dhe do të qetësohen pas zgjedhjeve, e cila do të çonte në zhbllokimin e procesit të pranimit në Maqedoni, është lëkundur. Janë të vogla gjasat që në afat të shkurtër Bullgaria të ketë qeveri politikisht të besueshme, e cila do të mund dhe do të dëshirojë të ndryshojë pozicionin e tanishëm të fortë bullgar “jo” për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, mbetet që me kujdes të përcillet masa dhe intensiteti, veçanërisht aktorët e sapo forcuar në skenën politike Bullgare do të jenë të zëshëm për bllokadën ndaj fqinjit të tyre perëndimor, por edhe atë se si pozicionet e dobësuara të partive të krijuara do të ndikojnë në këtë çështje në marrëdhëniet me partitë partnere politike evropiane, gjegjësisht partitë e shteteve anëtare.

Nga ana tjetër, qeveria bullgare në largim, la amanet vazhdimësinë e qëndrimit të Bullgarisë lidhur me procesin e pranimit të Maqedonisë në BE – me një letër të re në prill për qeveritë partnere të BE, ku kryesisht janë rishkruar pretendimet nga Memorandumi i shtatorit 2020, duke na akuzuar për mos respektim të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Prandaj, nuk duhet të habitemi nga deklaratat e kujdesshme të udhëheqjes politike të Maqedonisë, në lidhje me mundësinë për të arritur përparim me Bullgarinë, dhe kështu – për fillimin e negociatave. Nga ana tjetër, është e dukshme ofensiva e vazhdueshme diplomatike, që BE ta mbajë çështjen në agjendë, si dhe të shpjegohen pozicionet e Maqedonisë.

Është e sigurt që BE, pas dështimit të dhjetorit, e duke pasur parasysh “non-paper-at” ​​e reja destabilizuese, do të jetë e kujdesshme, por edhe ambicioze për t’u angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Prandaj ka mundësi të ketë presion të vazhdueshëm për të shkrirë negociatat, edhe atë me shumë gjasa një paketë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. BE-ja, e sigurisht edhe SHBA, do të monitorojnë nga afër, por gjithashtu do të krijojnë situata për hapjen e “dritareve” dhe shfrytëzimin e çdo momenti të favorshëm. Sa më e izoluar të bëhet Bullgaria në BE për këtë çështje, aq më i paqëndrueshëm do të bëhet pozicioni i saj në plan afatgjatë, pavarësisht nga vendosmëria për të përdorur veton, që megjithatë e ka çmimin. Dhe përsëri – duhet të kemi parasysh se negociatat sipas metodologjisë së re janë jashtëzakonisht të vështira dhe ka shumë mundësi për veto, ndërsa ne jemi akoma në hapin e parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button