fbpx

Gjigantët e medias sociale, tani nën juridiksionin e ligjit turk

Vendimi i gjigantëve të medias globale për të përmbushur kërkesat e qeverisë turke dhe për të hapur zyra në Turqi, ka sjellë shqetësime në lidhje me lirinë e medias. Mbrojtësit e lirisë së shtypit thonë se duke qënë se kompanitë e medias sociale tani do të jenë nën juridiksionin e ligjeve turke, kjo mund të nënkuptojë që njerëzit në Turqi nuk do të kenë më se ku t’i shprehin lirisht pikëpamjet e tyre, shkruan Zëri i Amerikës.

Në zyrën e portalit të lajmeve Dokuz8Haber në Stamboll, po përpilohen raportet e fundit të lajmeve… nga gazetarë profesionistë dhe qytetarë.

Faqja e lajmeve mbështetet në mediat sociale, të cilat janë bërë platforma kryesore për raportimet e pavarura në Turqi.

“Nëntëdhjetë përqind e të gjithë aparatit mediatik në Turqi është në kontroll të shtetit, të qeverisë. Nuk ka më pavarësi të shtypit në Turqi. Është një aparat i qeverisë kundër shoqërisë. Pra, njerëzit mund të ndjekin lajme të besueshme vetëm përmes mediave sociale”, tha Gokhan Bicici, redaktor në portalin Dokuz8Haber.

Grupi Gazetarët pa Kufij me bazë në Paris këtë muaj e renditi Turqinë në vendin e 153 për sa i përket lirisë së medias.

Megjithatë qeveria turke kërkon të zgjerojë kontrollin e saj tek mediat në internet duke u bërë presion platformave të mediave sociale që të hapin zyra në Turqi.

Kjo i vendos kompanitë që operojnë në vend nën juridiksionin turk – me kontrolle që Ankaraja pretendon se janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera evropiane.

Mbrojtësit e lirisë së shtypit shohin disa ngjashmëri me legjislacionin që po shqyrtohet në Evropë, por vënë në dyshim mënyrën se si Turqia do të zbatojë kufizimet.

“Përveç paralajmërimeve, gjobave financiare dhe ndalimeve të reklamave, qeveria do të vendoste një ndalim të kufizimit të fuqisë së transmetimit. Qeveria do të ulte shpejtësinë e serverave të atyre mediave sociale që nuk zbatojnë ligjin turk,” tha Yaman Akdeniz në Shoqatën për Lirinë e Shprehjes.

Kompanitë Twitter, Google, Facebook, Tiktok dhe të tjera kanë hapur zyra në Stamboll duke përmbushur një afat të prillit.

Twitteri thotë se Turqia paraqet më shumë kërkesa për të hequr postime dhe përdorues, por deri tani, kompania ka përmbushur vetëm disa prej tyre.

Megjithatë, portalet e lajmeve si Dokuz8Haber janë të shqetësuara se këto platforma të mediave sociale do të bëhen më të bindura ndaj autoriteteve turke.

“Nëse këto kompani të mediave sociale bëhen një mjet për të rritur shtypjen në Turqi, atëherë kjo do të jetë një sfidë edhe më e madhe për ne, dhe ky është shqetësimi më i madh që kemi për momentin”, tha Gurkan Ozturan, drejtues ekzekutiv i portalit.

Disa platforma të mediave sociale kanë publikuar deklarata ku thonë se do të qëndrojnë të përkushtuara ndaj lirisë së shprehjes.

Ndërkohë, Dokuz8Haber po zgjeron operacionet e saj përpara zgjedhjeve të parakohshme në Turqi. Ky portal dhe të tjerë shpresojnë që platformat e mediave sociale të mbeten të lira dhe të pa censuruara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button