Shkup, TIKA dhuroi pajisje mjekësore për klinikën mobile në Institutin për sëmundje të mushkërive

 Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot dhuroi pajisje të plotë mjekësore për flurobusin në pronësi të Institutit për Sëmundjet e mushkërive dhe tuberkulozit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pranim-dorëzimin e pajisjes mjekësore për klinikën mobile morën pjesë ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, koordinatori programues i TIKA-s në Shkup, Halim Omer Sogut dhe drejtori i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit, Seat Zejnel.

Duke shprehur mirënjohje për TIKA-n, ministri Filipçe tha se falë shumë projekteve të përbashkëta me TIKA-n që zgjasnin me vite janë bërë përforcime serioze të sistemit shëndetësor në shumë segmente të rëndësishme.

“Sot konkretisht bëhet fjalë për një projekt që mbështet punën e Institutit për Sëmundjet e Mushkërive, një institut i njohur për përvojën dhe ekspertizën e tij në identifikimin e sëmundjeve shumë specifike të mushkërive, një shembull është tuberkulozi”, theksoi Filipçe.

“Me këtë projekt shërbimin shëndetësor e afrojmë tek pacientët veçanërisht në rajonet ku ai është më vështirë i qasshëm për qytetarët”, tha Filipçe.

Venko Filipçe, foto nga Anadolu Agency

Koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Omer Sogut duke rikujtuar se TIKA në Maqedoninë e Veriut deri më tani ka realizuar mbi 1.000 projekte, tha se padyshim vëmendje më të madhe u është dhënë projekteve në sektorin shëndetësor.

“Në kuadër të projektit, flurobusi, i cili është në pronësi të vetë Institutit, është plotësisht i pajisur me pajisje mjekësore, me ekipin e duhur shëndetësor që kryen periodikisht aktivitetet e tij së pari në zonat rurale. Qëllimi kryesor është afrimi i shërbimeve shëndetësore me qytetarët, gjegjësisht rritja e skreningut dhe mundësia e promovimit të shëndetit si dhe ngritja e vetëdijes në këto kohë të vështira kur e gjithë bota po përballet me një pandemi të shkaktuar nga virusi COVID-19”, tha Sogut.

Ai informoi se ata kanë filluar projektin për rindërtimin dhe pajisjen gjithëpërfshirëse të Klinikës Universitare të Stomatologjisë “Shën Panteleimon”, përkatësisht Departamentit të pediatrisë dhe parandalimit.

Drejtori i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit, Seat Zejnel tha se në kohën kur po luftojmë me COVID-19, Turqia mike në kohë të duhur dhuroi pajisje që është me rëndësi vitale për trajtimin dhe diagnostikimin e të sëmurëve tanë.

Klinika mobile do të ketë një EKG, banak të hematologjisë, infuzomat, defibrilatorë dhe pajisje të tjera për kryerjen e rrezeve X, marrjen e gjakut për analiza dhe laboratorin, marrjen e pështymës për analiza mikrobiologjike, tensionin, oksimetrinë e pulsit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button