PËRTEJ MALLKIMIT

Emrin tënd mallkim ma thanë n’vesh

t’urdhëruar nga murgu me psalme t’vjetruara kohe

që pa ndalë e ngadalë

n’djegien e qirinjve

afër shtratit t’kalbur t’nënës

t’marrë ma quante dhe dashurinë tënde.

Prajshëm

m’thanë se puthja lë plagë t’thella

e n’ne, agu psalme s’do pranonte lehtë

sa herë që n’ty do dorëzoja shpirtin

e një Eve që s’e kishte turp lakuriqësinë e gjoksit

n’prani djemsh.

Edhe dorën tënde t’fortë si gur ma bënë

t’urdhëruar nga babai me rrudha t’bollshme f’tyre

që gjakftohtë

n’natën e pagëzimit me hënë t’munguar

ma lidhi kokën me shaminë e zezë,

t’m’i fshihte flokët

simbol për dashurinë tënde,

e për të,

shenjë e një djali t’pa lindur.

Mallkim m’thanë se është dhe fryma jote

sa herë që te murgu prisje t’vija unë

syqeshur, gjishpërthyer

e n’cep buze mbetur me shenja t’dashurisë tënde.

 

Nga Adelina XHAFERI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button