fbpx

Arifi jotransparente, nuk e publikon kontratën për kompaninë që kryen punët për shtegun e biçikletave në Tetovë

Përkundër premtimeve të shumta për transparencë dhe ligjit i cili obligon llogaridhënie për çdo para të taksapaguesve në Maqedoninë e Veriut, Komuna e Tetovës vazhdon të mbajë të fshehur kontratën e lidhur me kompaninë për shtigjet e biçikletave. Sot Arifi për Portalb.mk tha se shtigjet realizohen nëpërmjet kontratës për punë intervente ndërkaq këtë kontratë e ka kompania “NB”. Megjithatë, ka sa kohë që e kemi kërkuar, por kontraten komuna nuk e jep.

Kanë kaluar gati një muaj nga kur filluan punët për shtigjet e biçikletave në Tetovë ndërkaq “enigmë” ka ngelur kompania e cila ka nënshkruar kontratë me Komunën e Tetovës për realizimin e këtij projekti prej gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta.

Sot kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për Portalb.mk potencoi se shtigjet e biçikletave realizohen nëpërmjet një kontrate për punë intervente ndërkaq shtoi se kompania e cila ka kontratën për këtë është “NB”.

“Unë këtë e kam bë të qartë në emisionin që isha, dhe thash që shtigjet e biçikletave realizohen nëpërmjet kontratës për punë intervente. Kompania e cila e ka kontratën për punë intervente është kompania NB” tha Teuta Arifi.

Mos dhënia e informatave të mjaftueshme nga ana e Komunës së Tetovës për kontraktuesin dhe nënkontraktuesin e mundshëm, hap dyshime për realizuesin e këtij projekti

Kanë kaluar 11 ditë nga kur gazetari i Portalb.mk nga zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu, ka kërkuar kontratën për shtigjet e biçikletave, i njëjti nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Ndërkaq, katër ditë më herët, me datë 26 prill kemi dorëzuar në arkivin e komunës së Tetovës kërkesë për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, ku kërkojmë nga Komuna e Tetovës kontratën për shtigjet e biçikletave, përgjigje ende nuk kemi marrë as nga kjo.

Pikërisht për këtë arsye, ditën e dielë, me datë 25 prill gazetari i Portalb.mk në ora 00:30 të natës përderisa zhvilloheshin punët për shtigjet e biçikletave doli në terren dhe mjetet punuese të kompanisë që kryente punët ishin të një kompanie tjetër, gjegjësisht një kompani e cila nuk është “NB”.

Mjeti punues i kompanisë "Siguria" duke punuar për shtigjet e biçikletave.
Mjeti punues i kompanisë “Siguria” duke punuar për shtigjet e biçikletave.

Për këtë, e pyetëm kryetaren Arifi sot se pse mjetet punuese te shtigjet e biçikletave ishin të një kompanie tjetër, dhe jo të kompanisë të cilën ajo e apostrofoi paraprakisht, e njëjta u shpreh se nuk është e informuar për këtë

“Atë do e pyesni kompaninë” tha kryetarja Arifi.

Portalb e kërkoi kontratën edhe nga “NB” dhe pret përgjigje nga e njejta. Nuk dihet nëse kjo kompani ka marrë në partneritet edhe kompaninë “Siguria” për të kryer punët ose ka marrëveshje me të për ndonjë-lloj pune si kontraktues.

Kjo shkaku se kompania e cila i kryente punët për shtigjet e biçikletave dhe të cilën kamera e Portalb-it e incizoi, është në pronësi të bashkëshortit të njërit prej punonjësve të komunës së Tetovës, gjegjësisht bëhet fjalë për pronaren e kompanisë “Siguria”, Merita Mustafai, këtë na konfirmuan edhe nga Regjistri Qendror. 

Arifi: Ky proces nuk lidhet me punë familjare

Disa ditë më herët, e ftuar në emisionin Click Plus TV21, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte kategorike se kompania e bashkëshortes së punonjësit të komunës së Tetovës nuk ka fituar tenderin për shtigjet e biçikletave.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Ajo që mund të siguroj është se ky proces është i kryer më parë dhe nuk lidhet me punë familjare por lidhet me kompani e cila ka marre përsipër realizimin e punëve” tha Arifi.

Në pyetjen e gazetarit se a e ka fituar kompania e bashkëshortes së punonjësit komunal tenderin për shtigjet e biçikletave, Arifi tha jo dhe u shpreh e bindur se në këtë tender nuk bëhet fjalë për asnjë konflikt interesi.

“Për realizimin e korsisë së biçikletave, dëshiroj te them me bindje te plotë që aty nuk kemi konflikt interesi në punën dhe në kompaninë e cila bën punët intervente” shtoi Arifi në TV21.

Ndryshe, Portalb.mk do të presë afatin ligjor për kthimin e përgjigjes të kërkesës për qasje të lirë deri te informatat e karakterit publik, në qoftë se ky afat shkelet, informojmë se do të ndiqen hapat tjera ligjore deri në marrjen e këtij informacioni.

E rikujtojmë kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi se në intervistën e Portalb.mk dhe Vertetmates.mkajo premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.

E rikujtojmë Komunën se dhënia e informatave jo të plota dhe jo të nevojshme e shkelë premtimin për transparencë, por edhe ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button