Kamala Harris, Nancy Pelosi shënuan moment historik gjatë fjalimit të presidentit

Nënpresidentja Kamala Harris dhe Kryetarja e Dhomës së Parë Nancy Pelosi do të hyjnë në histori të mërkurën në mbrëmje si të parat gra, së bashku para kombit gjatë fjalimit të Presidentit Biden drejtuar vendit, shkruan Zëri i Amerikës.

Presidenti Joe Biden mban fjalimin e tij të parë para një sesioni të përbashkët të Kongresit të mërkurën në mbrëmje. Pranë tij në podium do të jenë edhe zonjat Pelosi dhe Harris, dy demokrate nga Kalifornia.

“Do të jetë mjaft emocionuese. Dhe fakti që shënohet një moment historik është i mrekullueshëm. Pa diskutim, ka ardhur koha,” tha zonja Pelosi disa orë para fjalimit gjatë një interviste në kanalin televiziv MSNBC.

Zonja Pelosi, tashmë është e familjarizuar me momentin e prezantimit të presidentit amerikan para Kongresit. Ajo ka qenë në këtë rol gjatë presidencës së George W. Bushit, Barack Obamës and Donald Trumpit.

Avokivistet për të drejtat e grave thanë se mundësia për të parë zonjën Harris dhe zonjën Pelosi të ulura së bashku, pranë Presidentit Biden do të jetë një “moment i bukur”. Por ata vunë në dukje se mbetet ende i parealizuar synimi për të zgjedhur një grua presidente si dhe miratimi i një amendamenti të Kushtetutës për të sanksionuar të drejta të barabarta mes gjinive.

Joe Biden dha ndihmesën e tij që nga momenti kur u zotua të zgjidhte një grua si kandidate për nënpresidente dhe me deklarimin se kishte zgjedhur Senatoren demokrate Harris për atë rol.

“Ky është një fillim i shkëlqyer dhe duhet të vazhdojmë të ecim përpara për t’u dhënë grave të drejta të barabarta,” tha Christian Nunes, president i Organizatës Kombëtare për Gratë.

Zonja Pelosi ka hyrë në histori si e para grua që mori kryesimin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë presidencës së George W Bushit. Ish-Presidenti Bush e përmendi këtë fakt gjatë fjalimit të tij drejtuar vendit, kur u shpreh se kishte privilegjin të ishte presidenti i parë që e hapte fjalimin me fjalët “zonja kryetare”.

Nancy Pelosi, 81 vjeçe, rimori këtë post të fuqishëm gjatë presidencës së zotit Trump dhe ishte e ulur pas tij në podium gjatë dy fjalimeve të tij të fundit në Kongres. Në një moment që bëri bujë të madhe, ajo grisi fletët e fjalimit të zotit Trump pasi presidenti e mbaroi fjalën drejtuar Kongresit në 2020.

Zonja Harris, 56 vjeçe, hyri vjet në histori si e para grua nënpresidente dhe personi i parë me ngjyrë dhe me origjinë nga Azia e zgjedhur në postin numër dy të vendit. Si nëpresidente, ajo është edhe Presidente e Senatit, prandaj do të ulet së bashku me zonjën Pelosi në podium gjatë seancës së përbashkët të Kongresit.

Debbie Walsh, drejtoreshë e Qendrës për Gratë Amerikane dhe Politikën në Universitetin Rutgers, tha se fjalimi i 28 prillit do t’u tregojë burrave, grave, djemve dhe vajzave se gratë mund të zgjidhen dhe të mbajnë poste të nivelit të lartë dhe se ato kanë të drejta si burrat.

Zonja Walsh gjithashtu vuri në dukje premtimin e zotit Biden për të zgjedhur një grua si kandidate për nënpresidente dhe përmendi larminë e kabinetit të tij. Ajo tha se Presidenti Biden kishte të ngjarë të fillonte fjalimin duke u kthyer me fytyrë nga zonjat Pelosi dhe Harris në një gjest krenarie, jo thjesht në aspektin personal, “por unë mendoj krenar për vendin dhe krenar për partinë e tij. Mendoj se ai do t’i shohë qartë implikimet historike të këtij momenti dhe rolin që ai luajti në realizimin e tij “.

“Të gjithë ne që punojmë për angazhimin e grave në role udhëheqëse, ne ende presim me padurim ditën kur personi që del para Kongresit për të mbajtur fjalimin të jetë grua,” shtoi zonja Walsh. “Por tani për tani, ky është një moment për t’u shënuar”.

Zyra e zonjës Harris nuk pranoi të komentojë të mërkurën mbi rolin e saj historik kur presidenti të dalë para Kongresit për të mbajtur fjalimin, duke preferuar ta lërë imazhin e prezencës së saj të përcjellë mesazhin.

Përveç fjalimit të mërkurën, zonjat Harris dhe Pelosi kanë një tjetër rol historik: ato janë përkatësisht e para dhe e dyta në radhë për të marrë udhëheqjen e vendit nëse presidenti aktual nuk është më në gjendje të përmbushë detyrën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button