fbpx

Klus: Ndryshimi i kufijve në rajon është ide e rrezikshme, bisedimet për fantazmat e historisë të hiqen nga tryeza

Zëvendës ministri i Jashtëm i Sllovakisë Martin Klus thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet që së bashku të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, pasi kjo është më e lehtë për të dyja vendet, transmeton Portalb.mk.

“Nëse të dy vendet fillojnë negociatat së bashku, do të mund që më shpejtë t’i sjellim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në BE. Ky është synim strategjik i Sllovakisë. Ashtu është më e lehtë për të dy vendet, por edhe për ne, sepse më lehtë  do të mund t’i ndajmë përvojat, madje edhe ato që Sllovakia ka, të cilat sigurisht nuk janë vetëm pozitive”, u përgjigj Klus në pyetjejet e gazetarëve në pranim-dorëzimin e katër respiratorëve për klinika për sëmundje të fëmijëve, dhuruar nga Sllovakia.

Lidhur me non-paperin që u shfaq javët e fundit, Klus tha se mund të jetë më mirë që nuk i njohim autorët e tyre, pasi ato dokumente mbartin një ide të rrezikshme të ndryshimit të kufijve të rajonit.

“Duhet të përqendrohemi në agjendën pozitive dhe procesin e zgjerimit të BE-së, jo në çështje historike, gjuhësore ose bilaterale. Çdo përpjekje për të folur për fantazmat e historisë, madje edhe për ndryshimi i kufijve, duhet të hiqet nga tryeza”, tha Klus.

Zëvendës kryeministri për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov tha se është koha e duhur për konferencën ndërqeveritare për ne dhe Tiranën, pasi nëse dështojmë këtë vit dhe nuk fillojmë negociata për të cilat kemi pritur për 20 vjet, ideja evropiane do të zbehet jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon.

Ai tha se presidenca portugeze është e angazhuar për të gjetur zgjidhje, e cila, nëse nuk arrihet, do të jemi humbës edhe ne edhe Bullgaria edhe Evropa. Dimitrov theksoi se duhet shfrytëzuar çdo shans, duke mos pritur përfundimin e zgjedhjeve, pasi zgjedhje mbahen vazhdimisht në ndonjë vend anëtar.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button