Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bëjë rajonin më të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten po vazhdon takimet në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kurti tha se në këtë takim theksoi rëndësinë e prezencës së NATO-s në Kosovë si dhe shtoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancës do ta bënte rajonin dhe Evropën “më të sigurt”, transmeton REL.

“NATO është aleanca më e mirë e sigurisë që bota ka parë. Në takim me sekretarin Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të mbajtur paqen dhe për të ofruar siguri, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Evropën më të sigurt”, tha Kurti përmes një postimi në Twitter.

Gjatë ditës, në Bashkimin Evropian, Kurti do t do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi si dhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionarë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.

Kuti të mërkurën po ashtu tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, datë kjo e cila është përmendur nga përfaqësuesi i lartë, Borrell.

Kurti ka thënë se ai nuk mund të merr pjesë në një takim për të cilin nuk ka dhënë konfirmimin. Por, ai pritet që sot të bisedojë me Borrellin për mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe datat eventuale të takimeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces, sipas Brukselit zyrtar, ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button