Platforma anti-korrupsion: Ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10 të bëhet përmes një procesi transparent

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit shpreh shqetësim për nivelin e ulët të transparencës së procesit me të cilin Qeveria e RMV-së rregullon ndërtimin e pjesëve të autostradave të korridoreve 8 dhe 10, transmeton Portalb.mk.

“Nga informacionet që janë të disponueshme për publikun, nuk mund të përcaktohet justifikim për lidhjen e njoftuar të kontratës së drejtpërdrejtë për realizimin e projekteve të infrastrukturës pa zbatuar Ligjin për furnizim publike. Për ne si qytetarë është jashtëzakonisht e rëndësishme që i gjithë procesi të jetë transparent nga shpallja deri në lidhjen e kontratës, për të mundësuar pjesëmarrjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, për të siguruar mbrojtje ligjore për të gjithë pjesëmarrësit në procedurë dhe sigurisht ajo që është veçanërisht e rëndësihme është që të mundësohet mbikëqyrje e të gjithë procedurës nga institucionet kompetente, publiku i interesuar profesional dhe qytetarët”, thuhet në deklaratën e Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftimin e korrupsionit.

Ata thonë se aplikimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore (lex specialis) është mënyrë e keqe e menaxhimit të investimeve kapitale, pasi parandalon konkurrencën midis subjekteve ekonomike nga vendi dhe jashtë dhe zakonisht mbart një rrezik në rritje të çmimeve më të larta se ato të tregut.

“Veprimet e tilla mund që seriozisht të shkelin parimet e qeverisjes së mirë dhe të çojnë në abuzime të mundshme”, thonë nga Platforma e OJQ-ve për luftimin e korrupsionit.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të braktisë konceptin e marrëveshjeve të drejtpërdrejta dhe planifikimin e projekteve të mëdha infrastrukturore ta zbatojë publikisht, ndërsa realizimi i projekteve të jetë në procedurë  konkurruese dhe transparente.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit është themeluar më 9 dhjetor 2014. Anëtarë të Platformës janë 17 organizata: Shoqata për iniciativa demokratike, Eurothink, Instituti për Demokraci “Societas Civilis” Shkup, Qendra kërkimore për shoqëri civile, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, CONNECT, Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Metamorfozis, Most, Instituti i Ohrit , Transparency Internacional Maqedoni,  Transparenca Maqedoni, Fondacioni për shoqëri të hapur – Maqedoni, Forumi CSID, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, Qendra për komunikime civile, Qendra për kërkime dhe krijim të politikave dhe Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP.

Përndryshe, kryeministri Zoran Zaev dy ditë më parë deklaroi se ka mundësi që deri në fund të majit ose në fillim të qershorit institucionet kompetente në vend ta përgatisin projektvendimin për modelin sipas të cilit do të realizohet ndërtimi i paralajmëruar i pjesëve të autostradës Tetovë-Gostivar- Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qathanë dhe Prilep-Manastir nga ana e konsorciumit amerikano-turk “Behtel-Enka”.

Një muaj më parë, Qeveria nënshkroi Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Behtel-Enka për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe ndërtimin e tre seksioneve të autostradave në Korridoret 8 dhe 10D. Zaev deklaroi se me implementimin e këtyre projekteve infrastrukturore, vendi do të plotësonte të gjitha nevojat e autostradave që ekzistojnë aktualisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button