As zëvendës drejtorët shqiptar as ligji, nuk kanë arritur të obligojnë Agjencinë për Rini dhe Sport të përktheje ueb faqen

Edhe pse ka më shumë se një dekadë nga kur është formuar, ka pasur edhe ka zëvendës drejtor shqiptar nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Agjencia për Rini dhe Sport vazhdon të mos e respektojë ligjin e gjuhëve duke mos e përkthyer ueb faqen e tyre, e cila aktualisht është vetëm në gjuhën maqedonase. Përveç kësaj, nga kjo agjenci refuzojnë të përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk për shkak se sipas tyre, kjo informatë “nuk është e karakterit publik”, shkruan Portalb.mk.

Institucioni i vetëm në Maqedoninë e Veriut i cili është përgjegjës për nevojat e rinisë dhe të sportit në vend, ueb faqen e kanë vetëm në një gjuhë, atë maqedonase, kështu duke pamundësuar shqiptarëve të RMV-së që nuk e flasin gjuhën maqedonase të kenë qasje në të rejat e fundit për atë që ju tangon atyre.

Ueb faqja e Agjencisë për Rini dhe Sport.
Ueb faqja e Agjencisë për Rini dhe Sport.

Aktualisht drejtor në Agjencinë për Rini dhe Sport është Naumçe Mojsovski, Portalb.mk ka disa ditë që ka tentuar të marre përgjigje përmes postes elektronike nga zëdhënësit e kësaj agjencie në lidhje me atë se kur do të përkthehet ueb faqja edhe në gjuhën shqipe, përgjigje nuk kemi marrë.

Në thirrjen telefonike me zëdhënësen e kësaj agjencie, e njëjta pohoi se duhet të kontaktojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë me drejtorin për shkak se ajo nuk e posedon një informacion të tillë dhe se konsideron se nuk bëhet fjalë për informacion të karakterit publik.

“Nuk e di, nuk kam informacion për këtë, do të duhet të flisni drejtpërdrejt me drejtorin se pse ueb faqja nuk është e përkthyer ne gjuhën shqipe, unë nuk mund të u jap një përgjigje për shkak se ky nuk është informacion i karakterit publik” tha Dijana Softovska përmes një thirrje telefonike.

As zëvendës drejtorët shqiptar deri tani nuk kanë arritur të “përkthejnë” ueb faqen

Izmit Nura
Izmit Nura

Zëvendës drejtori i parë shqiptar në Agjencinë për Rini dhe Sport, Izmit Nura u zgjodh në korrik të vitit 2019, edhe pse ai ushtroi këtë detyrë për më shumë se një vjet, ueb faqja e Agjencisë për Rini dhe Sport nuk u përkthye edhe në gjuhën shqipe.

Izmit Nura në rrjetin social “Fejsbuk” në momentin kur është larguar nga Agjencia për Rini dhe Sport për tu emëruar drejtor diku tjetër, kishte pohuar se ARS-në e ka bë të shkruaje dhe të flasë shqip, kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë.

“Pas suksesit në Agjencinë për Rini dhe Sport që bëri këtë institucion të flas e shkruaj shqip do të kalojë në Agjencinë për Emigracion” shkruan Nura në “Fejsbuk.

Avni Rrustemi, foto: TV21.
Avni Rrustemi, foto: TV21.

Aktualisht zëvendës drejtor në Agjencinë për Rini dhe Sport është Avni Rrustemi, ky i fundit disa herë në paraqitje publike ka premtuar se ueb faqja e agjencisë do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe edhe në atë angleze, kjo nuk ka ndodhur.

Në shkurt të këtij viti, Rrustemi për “TV21” u ankua se tre muaj është kohë e shkurtër për të përkthyer ueb faqen edhe në gjuhën shqipe, kanë kaluar pesë muaj ndërkaq ueb faqja vazhdon të jetë vetëm në një gjuhë.

“Ueb sajti tani për tani është vetëm në gjuhën maqedonase, në gjuhën angleze nuk funksionon, nuk ka 3 muaj që kam pozitën e zëvendës drejtorit, për tre muaj në qoftë se ka dikush që ka mund të bëje ueb sajtin, ju lutem” deklaroi Avni Rrustemi në TV21.

Ai atëherë potencoi se ueb faqja e re e Agjencisë për Rini dhe Sport është në procedurë e sipër dhe siguroi se kjo e fundit do të jetë edhe në gjuhën shqipe, kanë kaluar dy muaj nga ky premtim publik ndërsa asgjë nuk është ndërmarrë.

“Do të bëhet në tre gjuhë, ne tani prej 1 shkurtit kemi edhe pëlqimin prej ministrisë së Financave për të marrë përkthyesin. Nuk kemi pasur as përkthyes, kush do i përktheje tekstet?. Ueb faqja e re është në përpunim. Komplet do të jetë ueb faqe e re, me gjithçka të re dhe në tre gjuhë” shtoi Rrustemi, zëvendës drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Kanë reaguar edhe nga Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët

Për (mos) përkthimin e ueb faqes të Agjencisë për Rini dhe Sport ka pasur reagime edhe nga kryetari i FRASh, Omer Ajdini, ai kishte deklaruar se ironia qëndron në faktin se zëvendës drejtori Avni Rrustemi, është asistent i informatikës ndërsa nuk ka arritur ta përktheje ueb faqen.

Omer Ajdini nga "Aleanca për Shqiptarët"
Omer Ajdini nga “Aleanca për Shqiptarët”

“Agjencioni për Rini dhe Sport, 20 vite funksionon dhe ende sot nuk e ka të përkthyer në gjuhën shqipe ueb faqen. Avniu, zëvendës drejtori i këtij institucioni është asistent i informatikës në Universitetin e Tetovës dhe nuk ka pasur kapacitet ta bëje këtë” tha Omer Ajdin në TV21.

Përveç kësaj, Ajdini kërkoi nga Rrustemi që të pranoje sfidën dhe të lejojë atë që brenda një jave të përktheje ueb faqen e Agjencisë për Rini dhe Sport, në të kundërtën, ai pohoi se do të jep dorëheqje.

“Do ta bëjmë një sfidë, unë do ta përkthej ueb faqen brenda disa ditëve. Nëse nuk ta bëjmë brenda një jave ne përkthimin e ueb faqes, unë do të jap dorëheqje. Vetëm ma jep këtë sfidë, do e bëj pa pagesë, ajo nuk është punë e madhe, bëhet shpejt” tha Omer Ajdini në TV21.

Ndryshe, kjo nuk është rasti i vetëm ku institucionet të cilat në krye kanë shqiptar dhe nuk e respektojnë ligjin për gjuhët, zbatimi i gjuhës shqipe në shumë institucione të Maqedonisë mbetet pengesë, edhe pse ajo është obligative, sepse është e dekretuar me ligj. Por, me raste edhe në shumë institucione ku udhëhiqet nga kuadër shqiptar gjen zbatim plotësisht përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha aktet dhe dokumentet. Duke filluar nga tabela e emrave, e vendosur në hyrje të institucionit, deri te letra më e thjeshtë, dhe atë në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip.

Portalb, disa muaj më herët raportoi se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, dy institucionet më të rëndësishme të cilat njoftojnë për masat, protokollet në fuqi, raportet ditore për pandeminë Kovid-19, nuk e kanë respektuar ligjin e gjuhëve, i cili parashikon që gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha shqipe, që aty përmendet si gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të RMV-së. Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhën shqipe që kanë të bëjnë me korona virusin, në këta dy institucione nuk ka qenë i paralelshëm me gjuhën maqedonase edhe pse të dy këta institucione dhe të gjitha institucionet tjera publike, janë të obliguara me ligj t’i njoftojnë edhe qytetarët shqiptar, ashtu siç informojnë në gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button