Ziberi: Nuk e di saktë sa persona nuk kanë nënshtetësi por është absurd që dikush në familje të ketë ndërsa të tjerët jo

Avokati i popullit, Naser Ziberi nuk ka numër të saktë të personave në vend të cilët nuk kanë nënshtetësi, por thotë se është bërë padrejtësi ndaj atyre qytetarëve e cila duhet të tejkalohet dhe të zgjidhet me ndryshim të Ligjit për nënshtetësi, transmeton Portalb.mk.

Ziberi në prezantimin e sotëm të raportit vjetor për shkallën e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njerëzve në vitin 2020, tha se një pjesë e personave të lindur në Maqedoni para shpalljes së pavarësisë së shtetit në vitin 1991 ende nuk e kanë zgjidhur problemin me nënshtetësinë, ndërsa në vazhdimësi jetojnë në vend së bashku me familjet në shtëpitë e tyre, që paraqet absurd të llojit të vet që në kushte dhe rrethana të barabarta disa anëtarë të familjes të kenë nënshtetësi, ndërsa disa me vite të mos mund ta realizojnë këtë të drejtë.

“Është bërë padrejtësi ndaj kësaj kategorie të qytetarëve e cila duhet të tejkalohet dhe zgjidhet me ndryshim të Ligjit për nënshtetësi, në pajtueshmëri me standardet dhe principet e Konventës Evropiane për nënshtetësi. Në pajtueshmëri me këtë konventë respektimi i jetës familjare paraqet vlerë themelore, njëjtë sikur se është proklamuar edhe në nenin 8 nga Konventa Evropiane e të drejtave dhe lirive të njerëzve. Sipas Konventës Evropiane për nënshtetësi, vendet e Këshillit të Evropës gjatë vendimit për nënshtetësi, duhet veçanërisht të mbajnë llogari për lidhjen efektive dhe të vërtetë të personit me shtetin”, tha Ziberi.

Ai foli edhe për nxjerrjen e certifikatave nga libri amë në mënyrë elektronike, që sipas tij, aspak nuk e ka lehtësuar qasjen e qytetarëve deri te ky dokument, por përkundrazi ka krijuar probleme të mëdha.

“Nuk është respektuar afati i përgatitjes dhe nxjerrjes së certifikatave, kështu që në vend që disa ditë, qytetarët presin për certifikata elektronike disa muaj”, tha Ziberi.

Në këtë konferencë për media, avokati i popullit drejtoi më së shumë kritika për punën e Kuvendit, gjykatave, komisioneve, burgjet por edhe arsimin si sferë ku më së shumti janë ndjerë pasojat e pandemisë në raport me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e fëmijëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button